Trump emëron zv.Drejtor të FBI-së Dan Bonginon, njeriun që denoncoi lidhjet e Ramës me kartelin Sinaloa

Dan Bongino do të jetë zv.drejtori i ri i FBI-së, me Presidentin Trump që e ka emëruar në këtë detyrë të rëndësishme.

Trump tha në platformën e tij “Truth Social” se Bongino është një njeri me dashuri dhe pasion të jashtëzakonshëm, teksa e cilësoi emërimin e tij një lajm të shkëlqyeshëm për drejtësinë amerikane.

Dan Bingino nuk është një emër i panjohur edhe në Shqipëri. Gjatë kohës që drejtonte “The Dan Bongino Show”, ai ka denoncuar kryeministrin shqiptar Edi Rama si të lidhur me  kartelin meksikan “Sinaloa”.

Sipas tij, në trafikimin e lëndëve narkotike veç kryeministrit shqiptar ishte edhe Hunter Biden, djali i ish-Presidentit Joe Biden, ndaj edhe administrata e këtij të fundit nuk merrte masa ndaj kryeministrit shqiptar.

“Njerëzit nga e gjithë qeveria ishin shumë konfuz se pse Biden nuk po bënte asgjë për këtë kryeministrin e Shqipërisë që dyshohet se po bashkëpunon me zyrtarin e FBI-së, që unë po ju them se është i lidhur me Hunter (Biden), ata janë të lidhur. Këtu kryeministri shqiptar duket se është i përfshirë në një konspiracion narko-trafikimi që përfshin kartelin Sinaloa. Një prej karteleve që po trafikon lëndë narkotike përmes kufirit jugor.

Ata janë përgjegjës për sasitë më të mëdha të narkotikëve që trafikohen në SHBA. Por, për çfarëdo lloj arsyeje, administrata e Biden nuk duket e shqetësuar nga kjo gjë. A është kjo sepse njerëzit në qeverinë tonë po paguhen nga shqiptarët? Për t’i bërë njerëzit të kthejnë faqen tjetër? Një pyetje e drejtë apo jo? Dikush në një konferencë shtypi, që bën punë reale në media, duhet të pyesë Karine Jean-Pierre (sekretarja për shtyp e Shtëpisë së Bardhë) se pse Biden nuk ka bërë asgjë për narko-trafikimin në Shqipëri dhe për akuzat për lidhjet me kartelin Sinaloa në kufirin tonë jugor? A ka kjo lidhje me të infiltruarit në qeverinë tonë që lobojnë për të njëjtin kryeministër shqiptar për të cilin nuk po bëni asgjë”, shprehej Bongino.