Elton Qyno
Një hetim që kishte si synim tregtinë e drogës në qytetin e Beratit dhe Kuçovës, ka çuar në pranga disa persona, mes të cilëve dhe nipin e deputetit të PS dhe njëherësh Gjeneral Brigade, Bardhyl Kollçakut.
Jurgen Kollaçku nga fshati Pëllumbas i Beratit, është vënë në pranga së bashku me Gjergji Brahan, Kleo Dokon dhe Sherif Isaj.
Sipas verifikimeve të kreyra, pas një pune disa mujore, policia kriminale e Beratit, ka konstatuar se nipi i deputetit të PS Bardhyl Kollçaku, Jurgen Kollçaku së bashku me 26-vjeçarin Gjergji Brahan, drejtonin dhe organizonin tregtinë e kanabisit në disa zona të Beratit dhe Kuçovës.
Tregtia e hashashit kryesisht bëhej tek gjimnazistët dhe të rinj të tjerë.
Gjatë ndërhyrjes policore janë gjendur dhe sekuestruar sasi lënde narkotike “cannabis sativa”, armë të ftohta dhe municion luftarak. Bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, për disa shtetas që vepronin në kuadrin e grupit kriminal, për të shitur doza të lëndës narkotike cannabis sativa, në zona të ndryshme të qarkut, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Berat dhe ata të Komisariatit të Policisë Kuçovë, kanë iniciuar një procedim penal në Prokurorinë e Beratit, me qëllim dokumentimin e plotë ligjor të kësaj veprimtarie kriminale.
Si rezultat i një hetimi dymujor, me metoda proaktive, në kuadër të operacionit policor të koduar “Vëzhgimi”, u kapën dhe u vunë në pranga tre persona që jetonin në zonën e Kuçovës dhe një në zonën e Beratit.
Nga provat e siguruara nga ky operacion, Gjykata e Beratit, ka caktuar ndaj këtyre shtetasve, masën e sigurisë “Arrest në burg”, pasi dyshohet se vepronin në kuadrin e një grupi kriminal që merrej me shitjen në doza të lëndës narkotike “cannabis sativa”, në zona të ndryshme të qyteteve Berat dhe Kuçovë.
Gjatë kontrolleve në banesat dhe automjetet e këtyre shtetasve, u gjetën sasi lënde narkotike cannabis sativa, 3 armë të ftohta (2 thika dhe 1 përforcues grushti) dhe municion luftarak.