Tre vite pas shkarkimit, KPA rikthen në detyrë prokuroren e Fierit, Violeta Shkurta

Tre vite pasi Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e shkarkoi nga detyra, KPA ka rikthyer në detyrë prokuroren e Fierit, Violeta Shkurta. KPK konstatoi pamundësi financiare për krijimin e pasurive, si dhe vlerësoi të padrejtë përfitimin e një kredie të butë.

Por sot, trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Sokol Çomo kryesues, Mimoza Tasi relatore, Albana Shtylla, Ina Rama, Natasha Mulaj anëtare vendosi rikthimin e prokurores së Fierit në detyrë.

“Në përfundim të gjykimit në dhomë këshillimi, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, shkronja “b” e ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, me shumicë votash, vendosi: Ndryshimin e vendimit nr. 514, datë 28.02.2022 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit Violeta Shkurta. Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm. U shpall në Tiranë, më datë 13.03.2025”, thuhet në vendimin e KPA-së.

Violeta Shkurta e ka nisur karrierën si oficere e policisë gjyqësore në vitin 1989 dhe punoi prej gati dy dekadash si prokurore në Prokurorinë e Fierit. Prej vitit 2019, Shkurta u promovua si drejtuese e përkohshme e Prokurorisë së Fierit.