Tre mjekë nga Italia do të kryejnë ekspertizën shkencore për vdekjen e 3 vjeçarit Brian Spahiu

Elton Qyno

Përcaktimi i shkakut të vdekjes së djalit 3-vjeçar, Brian Spahiu, ka detyruar prokurorinë e Tiranës, të kërkojë ndihmën e disa specialistëve të mjekësisë në Itali.

I mituri ndërroi jetë në një klinikë private që ndodhet në rrugën e “Kavajës” në Tiranë. Dyshimet e para flasin se vdekja e fëmijës ka ardhur si rezultat i narkozës, por ende nuk është provuar shkencërisht.

Për ti dhënë përgjigje kësaj enigme, prokuroria e Tiranës i është drejtuar me një letërporosi autoriteteve italiane, duke caktuar tre mjekë ligjorë për kryerjen e ekspertizës shkencore, me qëllim nxjerrjen e shkaqeve të vdekjes së vogëlushit Brian Spahiu.

I vogli, Brian Spahiu, i gjeti vdekjen në reanimacionin e pediatrisë në QSUT më 1 tetor, 3 ditë pas ndërhyrjes në klinikën private Splendent, brenda ambienteve të spitalit privat të Zemrës në Tiranë.

Babë e bijë, Roland dhe Ina Xhaxho janë në hetim në gjendje të lirë nga akuza e Tiranës për veprën penale “Neglizhenca ne trajtim mjekësor”, që konsiderohet kundërvajtje penale dhe si e tillë në fazën fillestare nuk pranon masë sigurisë “arrest në burg”.