Tre menaxherët e “Royal Casino” shpallen në kërkim, i ikën drejtësisë. Hija e “Darit të Apex” shfaqet pas dështimit të dosjes

Elton Qyno

Gjeorgjiani Sergo Solnstev, turku Muhtin Omeroglu dhe rumuni Robert Cristian, janë shpallur në kërkim nga gjykata e Durrësit pasi rezultojnë të kenë thyer masën e sigurisë detyrim për paraqitje.

Kjo masë është zbatuar për një periudhë 10 mujore, pasi në muajin Tetor 2022 të tre personat nuk janë paraqitur më në polici dhe prokurori. Nisur nga kjo situatë prokuroria, ka kërkuar ndryshimin e masës së sigurisë nga detyrim paraqitje në “arrest në burg”.

Por arrestimi i tre menaxherëve nuk është bërë e mundur të kryhet nga Policia e Shtetit, pasi sipas të dhënave të sistemit Tims ata janë larguar në periudhën Shtator-Tetor 2022.

Tre personat kanë shërbyer si menaxherë në “Royal Casino” në Durrës, e cila u bllokua nga policia në ambjentet e hotel “Adriatik”.

Aktualisht tre menaxherët e kazinosë janë marë të pandehur nga prokuroria e Durrësit, për akuzën e “Organizim të lojrave të fatit”. Ndërsa pak ditë më parë prokuroria ka deklaruar në gjykatë ikjen dhe shpalljen në kërkim ndërkombëtar të tyre.

Policia ka zbuluar në muajin Janar 2022 në katin e katërt të hotelit një ambjent të përshtatur për sallë kazinoje, ku gjendeshin 93 makineta, 4 tavolina pokeri dhe 4 ruleta. Fillimisht tre menaxherët e sallës pretenduan se kazinoja nuk ishte në punë dhe se ata po drejtonin kurse trajnimi për stafin, që të ishte i gatshëm sapo të merreshin lejet përkatëse.

Kazinoja është hapur në kohë rekord duke u bërë gati për tu vënë në punë, ndërsa i gjithë stafi menaxherial, i përket “Royal Eagle Casino” dhe “Grand Casino” që drejtohet nga kompania “Adria Entertainment”. Pas gjithë kësaj veprimtari, policia dhe prokuroria dyshojnë se qëndron Bledar Sinani, ose siç njihet ndryshe sij “Dari i Apex”.

Në vitin 2021 deri në fund të nëntorit 2021, Robert Cristian, rezulton të ketë punuar si menaxhet salle, dhe në kazinonë “Grand Casino”.

Të tre këta persona, qëndronin në Durrës, duke shërbyer si menaxherë të kazinosë në fjalë, e cila është hapur si derivat i dy kazinove të mëdhaja të kryeqytetit, “Royal Eagle Casino” dhe “Grand Casino”. Por në këtë biznes të paligjshëm, që krijon mjaft të ardhura rezulton dhe një shtetase me emrin, Rovena Zahiri. Kjo e fundit konfirmohet të jetë Anëtare e Këshillit Mbikqyrës në kompaninë e kazinosë “Adria Entertainment”, ku me 32 për qind të aksioneve është dhe kompania “APEX Holding GmbH”. Emri i Zahirit u lançua në kërkim policor me afat 1 mujor.

Sipas policisë së Durrësit, anëtarja e Këshillit Mbikqyrës së kompanisë në fjalë, rezulton të jetë njeriu që ka lidhur një kontratë qëraje me hotel “Adriatik” në plazhin e Durrësit, me qëllim ngritjen e një kazinoje në ambjentet e një kati të këtij hoteli.