Shoqata Kombëtare e Transportit Urban ka kundërshtuar propozimin për rritjen e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) nga 20% në 21%, duke kërkuar njëkohësisht përfshirjen e transportit publik në skemën e lehtësive fiskale për vitin 2027.
Në një letër drejtuar Kuvendit të Shqipërisë, përfaqësuesit e sektorit kërkojnë që shërbimet e transportit publik të përfitojnë një normë të reduktuar të TVSH-së prej 6%.
Sipas shoqatës, transporti publik nuk mund të konsiderohet thjesht një aktivitet tregtar, pasi përbën një shërbim thelbësor për qytetarët. Mijëra shqiptarë varen çdo ditë nga autobusët urbanë dhe ndërurbanë për të shkuar në punë, shkollë apo për të kryer aktivitetet e tyre të përditshme.
Kërkesa vjen në një kohë kur po diskutohen masat e Paketës Fiskale dhe Projektbuxheti i Shtetit për vitin 2027. Shoqata argumenton se sektori duhet të trajtohet me të njëjtën filozofi lehtësuese që është propozuar për produktet bazë, duke aplikuar një normë TVSH-je prej 6%.
Sipas operatorëve, ulja e tatimit do të ndikonte drejtpërdrejt në reduktimin e kostove të aktivitetit dhe do të krijonte më shumë mundësi për të përballuar shpenzimet operative, pa ia kaluar barrën financiare qytetarëve përmes rritjes së tarifave të transportit.
Shoqata kërkon që institucionet të marrin në konsideratë specifikën e këtij shërbimi dhe rëndësinë që ai ka për ekonominë dhe jetën e përditshme të vendit.
Përfaqësuesit e transportit urban theksojnë se Paketa Fiskale 2027 duhet të përmbajë jo vetëm masa që rrisin barrën tatimore, por edhe politika konkrete mbështetëse për sektorët që ofrojnë shërbime jetike për qytetarët.