Tragjike në Vjenë, tre shqiptarë humbin jetën në vendin e punës

Një aksident i rëndë ka ndodhur në një kantier ndërtimi në Vjenë, ku si pasojë kanë humbur jetën katër persona. Lajmi është konfirmuar nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Austri, e cila ka bërë të ditur se tre prej viktimave janë shtetas të Kosovës.

Ngjarja tragjike u regjistrua pasditen e së martës në zonën e Alsergrundit dhe u përshkrua nga dëshmitarët si një skenë dramatike.

Sipas mediave austriake, incidenti ndodhi rreth orës 14:00 në oborrin e një ndërtese banimi në rrugën Porzellangasse. Gjatë punimeve për betonimin e një papafingoje, skela dhe struktura mbajtëse u shembën, në momentin kur punëtorët ndodheshin mbi to.

Viktimat janë identifikuar si Pajtim Barjami, Asllan Musli dhe Istref Zekaj.

Ambasada e Republikës së Kosovës në Austri ka shprehur dhimbjen e thellë dhe ngushëllimet më të sinqerta për familjet e viktimave dhe për të gjithë të prekurit nga kjo tragjedi e rëndë.

“Ambasada e Republikës së Kosovës në Austri shpreh dhimbjen e thellë dhe ngushëllimet më të sinqerta për familjet e viktimave, si dhe për të gjithë ata që janë prekur nga kjo tragjedi. Jemi në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet austriake dhe po ndjekim nga afër çdo zhvillim lidhur me rastin. Në të njëjtën kohë, jemi të angazhuara për të ofruar të gjithë mbështetjen e nevojshme për familjarët e viktimave”, thuhet në njoftim.

Lidhur me këtë ngjarje të rëndë ka reaguar edhe kryeministri Albin Kurti, i cili në një postim në rrjet sociale shkruan: “Na ka tronditur thellësisht lajmi për vdekjen tragjike të disa personave në Austri. Sipas informacioneve zyrtare nga Ambasada jonë atje, tre prej tyre janë identifikuar si qytetarë të Republikës së Kosovës. Në këto momente të rënda, shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta për familjet e viktimave dhe të gjithë ata që janë prekur nga kjo humbje e madhe. Qeveria e Republikës së Kosovës është në komunikim të ngushtë me Ambasadën tonë në Vjenë për të ofruar gjithë mbështetjen e nevojshme”, thuhet në postimin e Kurtit.