Tragjedia në Maqedoninë e Veriut, qytetarët paralajmërojnë përshkallëzim protestash

Me 16 minuta heshtje dhe me drita të telefonave në duar, mijëra protestues u mblodhën në sheshin e Shkupit mbrëmjen e kësaj të marte, në protestën e organizuar për shkak të tragjedisë me 59 viktima në Koçan më 16 mars. 

Sipas Alsat, porositë që u dërguan nga disa qytetarë ishin që ajo që ndodhi në Koçan kurrë të mos përsëritet. Protesta ishte e qetë dhe në heshtje dhe pa fjalime.

Në njërin nga paralajmërimet e protestës thuhej se do të protestohet edhe me bllokim rrugësh por jo në këto ditë kritike.

 Në Maqedoninë e Veriut flamujt u ulën në gjysmështizë në ditën e parë të 7 ditëve të zisë kombëtare.  Prej pasdites së të hënës, në vend nisën protestat e qytetarëve të indinjuar me ngjarjen. Në Koçan u zhvilluan disa protesta.

Protestues marshuan përpara prokurorisë dhe gjykatës së qytetit ndërsa në zemërim e sipër dhjetra prej tyre ndaluan përpara një prej lokaleve në pronësi të të njëjtit person që kishte klubin e natës ku ndodhi tragjedia.

Ata shkatërruan pjesën më të madhe të lokalit dhe një automjet që pretendohej se i përkiste të njëjtit person.

59 të rinjtë humbën jetën pas zjarrit masiv në diskotekën “Koçan Puls” ndërsa 155 të plagosur po vijojnë të marrin trajtim mjekësor në spitalet e zonës së Koçanit, por dhe shtete të tjera. 20 prej tyre janë raportuar në gjendje më të rëndë.