Është gjetur pas disa orësh kërkime trupi i turistit holandez, i cili humbi jetën tragjikisht teksa po eksploronte zonën malore mes Thethit dhe Valbonës.
27 vjeçari mësohet se ka rrëshqitur dhe ka rënë në një terren të thepisur dhe për pasojë humbi jetën.
Operacioni për nxjerrjet e trupit të pajetë të 27 vjeçarit ka zgjatur disa orë, kjo për shkak të terrenit të vështirë.
Raportohet se i riu ishte pjesë e një guide të organizuar kur në vendin e quajtur “Qafa e Valbonës” ra në terrenin e thepisur malor.
Kanë qenë miqtë e tij të cilët kanë lajmëruar menjëherë shërbimet e emergjencës ku nisi puna për gjetjen e trupit të tij.
“Salla Operative e Komisariatit të Policisë Tropojë ka marrë njoftim mbrëmjen e djeshme, se një turist holandez, duke eksploruar zonën me disa turistë të tjerë, në vendin e quajtur “Qafa e Valbonës”, kishte rënë nga një terren i thepisur malor.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Tropojë, së bashku me ekipin mjekësor të spitalit të Tropojës dhe ekipet e kërkim-shpëtimit të Valbonës dhe të Kosovës, janë nisur bashkë me helikopterin e ushtrisë, drejt adresës së dhënë.
Pas disa orësh kërkime, shërbimet e Policisë ndërprenë punën për shkak të errësirës. Kërkimet vijuan më pas në orët e para të mëngjesit, së bashku me ekipet e kërkim-shpëtimit.
Rreth orës 05:30, nga ekipi i kërkim-shpëtimit dhe shërbimet e Policisë është bërë e mundur gjetja dhe nxjerrja e trupit të pajetë të shtetasit holandez F. D., 27 vjeç, i cili do të transportohet me helikopter, drejt morgut”- njofton policia.