Është shtyrë samiti i liderëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor, i cili pritej të mbahej këtë javë në Shkup. Shkak për shtyrjen u bë tragjedia në Koçan të Maqedonisë së Veriut, ku 59 të rinj humbën jetën dhe mbi 150 mbetën të plagosur si pasojë e një zjarri që përfshiu një klub nate.
Takimi i liderëve të rajonit ishte planifikuar të mbahej më 19 dhe 20 mars në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut ku liderët do duhej të diskutonin me bashkëbiseduesit nga BE, Planin e rritjes dhe perspektivën e pagesave të para nga kjo pako financiare. Por ky takim do të mbahet më vonë.
Pas tragjedisë në Koçan, qeveria maqedonase vendosi për shpalljen e 7 ditëve zie në mbarë vendin. Gjithashtu, u mor vendim që detyron Inspektoratin Shtetëror të Tregut të kryejë kontroll të jashtëzakonshëm në objektet hotelierike (klube nate, diskoteka dhe diskoteka të hapura) në të gjithë vendin dhe të njoftojë menjëherë Qeverinë për konstatimet e inspektimit në tre ditët e ardhshme, për të përcaktuar nëse ato janë në përputhje me kushtet.
Kryeministri maqedonas, Hristijan Mickoski, ka thënë se objekti ku ndodhi tragjedia kishte licencë të falsifikuar, e cila ishte lëshuar në mars të vitit të kaluar.
“Bëhet fjalë për një dokument pune për një kabare, i lëshuar në mënyrë të paligjshme, me vulën origjinale të Ministrisë së Ekonomisë dhe nënshkrimin e zyrtarëve të atëhershëm të kësaj ministrie. Ka shumë pyetje, të cilave hetimi do t’iu përgjigjet”, ka theksuar Mickoski.
Ndërkohë paralajmëroi përgjegjësi penale për të gjithë të përfshirët në ngjarjen tronditëse, që u mori jetën 59 të rinjve.