Tragjedi në Turqi, 29 të vdekur pas zjarrit që “përpiu” katin e parë të një pallati në qendër të Stambollit

Një tragjedi ka ndodhur në Turqi ku 29 persona kanë vdekur pasi një zjarr përfshiu katin e parë të një pallati në qendër të Stambollit. Sipas mediave turke, zjarri nisi në katin e parë, në ndërtesën që funksiononte si klub nate.

Dyshohet se shpërthimi ndodhi pranë skenës në klubin e natës të quajtur Masquerade, i cili ishte i mbyllur për Ramazan, teksa po rinovohej.

Ndërkohë të gjithë personat që ndodheshin brenda kanë humbur jetën, pasi mbetën të bllokuar. Guvernatori i Stambollit, Davut Gul, u tha gazetarëve në vendngjarje se po hetohen shkaqet e zjarrit dhe besohet se viktimat ishin punëtorët që po kryenin punimet.

Pas njoftimit, shumë zjarrfikëse dhe ekipe mjekësore janë dërguar në vendngjarje.

Ministri i Punëve të Brendshme në Turqi Ali Yerlikaya njoftoi në një deklaratë në rrjetin social se ka nisur një hetim për ngjarjen. Ndërkohë Ministri i Drejtësisë Yılmaz Tunç bëri të ditur se për ngjarjen janë caktuar 3 prokurorë dhe për 5 persona është caktuar masa e ndalimit.