Një aksident tragjik ka ndodhur në aksin rrugor Këlcyrë-Përmet në afërsi të fshatit Kuqar, rreth orës 04:00 të mëngjesit të sotëm.
Një mjet tip “Benz” ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në anë të lumit Vjosa, ku për pasojë kanë humbur jetën 8 personat që po udhëtonin.
Mësohet se mjeti ishte në ndjekje nga policia për shkak se 7 prej viktimave ishin klandestinë që do të kalonin kufirin drejt vendeve të Bashkimit Europian. Kur ka parë policinë, drejtuesi i mjetit nga Shkodra ka shtuar shpejtësinë, çfarë ka rezultuar fatale, pasi nuk ka arritur të mbajë kontrollin e makinës.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes, teksa në vendngjarje ndodhen Drejtori Vendor i Policisë, Drejtori i Departamentit për Kufirin, Drejtori i Policisë Rrugore dhe Drejtori i Rendit Publik.
Njoftimi i Policisë:
Rreth orës 04:00, në aksin rrugor Këlcyrë- Përmet, në afërsi të fshatit Kuqar, dyshohet se si pasojë e humbjes së kontrollit mbi drejtimin e automjetit nga drejtuesi, automjeti tip Benz ka dalë nga rruga dhe ka rënë në anë të lumit Vjosë.
Si pasojë e daljes nga rruga kanë humbur jetën 8 shtetas.( 7 shtetas dyshohet se janë nga vendet e treta dhe drejtuesi i automjetit nga Shkodra)
Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor i cili nën drejtimin e Prokurorit punon për sqarimin e rrethanave dhe shkakut të aksidentit. Gjithashtu në vendngjarje ndodhen Drejtori Vendor i Policisë, Drejtori i Departamentit për Kufirin, Drejtori i Policisë Rrugore dhe Drejtori i Rendit Publik. Po në vendngjarje ndodhen dhe dy grupe të Forcës Kombëtare të Sigurisë. Në përfundim të veprimeve të para do ketë njoftim më të detajuar.