Një ngjarje tragjike ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në komunën e Porcarit në Itali, ku katër anëtarë të një familje shqiptare humbën jetën si pasojë e helmimit me monoksid karboni.
Viktimat janë: babai Arti Kola, 48 vjeç, nëna, Jonida, 43 vjeçe; djali i tyre, Hajdar, 22 vjeç dhe vajza, Xhesika, vajza e vogël e familjes, 15 vjeçe.
Në gjendje të rëndë shëndetësore është vëllai i kryefamiljarit, i cili ngriti alarmin kur familja nuk po i përgjigjen në telefon. Sapo hyri në banesë së bashku me dy karabinierë, ata u përballën me trupat e pajetë të 4 anëtarëve të familjes.
Ai ndodhet i shtruar në spital, ndërsa dy efektivët pësuan shenja të lehta helmimi dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Autoritetet italiane kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes, teksa po verifikojnë edhe gjendjen e sistemit të ngrohjes në banesë.