Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka lënë në fuqi masat e vendosura ndaj anëtarëve të një grupi kriminal që akuzohet se ka trafikuar 7.5 ton kokainë nga Amerika Latina drejt vendeve të Bashkimit Europian.
Fatjon Marku, Lulzim Pepa dhe Anton Kola u lanë në arrest me burg, të cilët janë pjesë e grupit që drejtohet nga Jetmir Pepa, i cili është shpallur në kërkim.
Në total, Prokuroria e Posaçme lëshoi 11 urdhër-arreste, teka zyrtarisht njoftoi se ky grup ka operuar në Amerikën Latine, Belgjikë dhe Holandë dhe janë dokumentuar të paktën tetë episode të trafikut të kokainës në sasi të mëdha, nga janari deri në tetor të vitit 2020.
Në total, gjatë këtij viti u trafikuan rreth 7.5 tonë kokainë.
Hetimin Prokuroria e Posaçme e kreu në bashkëpunim ngushtë me ndërkombëtarë (Eurojust, Europol dhe agjencitë ligjzbatuese në Francë, Holandë dhe Mbretërinë e Bashkuar).
Në kuadër të operacionit janë sekuestruar:
60 pasuri të paluajtshme (toka, apartamente, hotele dhe troje në disa qytete të vendit)
89 automjete të llojeve të ndryshme
72 llogari bankare të personave fizikë dhe juridikë të dyshuar ose të lidhur me hetimin
Pasuritë janë të shpërndara në Tiranë, Kamëz, Lezhë, Shëngjin, Sarandë dhe Himarë.