Tmerronte banorët prej muajsh duke dalë dhe qëlluar në ajër me automatik, arrestohet 31 vjeçari në Fier

Një 31-vjeçar, i cili qëllonte në ajër me breshëri automatiku në ajër duke tmerruar banorët në Fier, është arrestuar nga policia.

Ezmir Ibishi mësohet se prej disa muajsh po survejohej nga uniformat blu për shkak se në orë të ndryshme gjatë ditës dhe natës, qëllonte në ajër me breshëri automatiku.

Policia është vendosur në kërkim të tij dhe pas monitorimit të kamerave të sigurisë në zonë kanë arritur ta identifikojnë. 31-vjeçari është shoqëruar në ambientet e policisë ku po merret ne pyetje nga grupi hetimor.

Nga kontrollet, 31-vjeçarit iu gjetën të fshehura në çati 1 armë zjarri kallashnikov, 1 armë gjahu, 2 krehra me fishekë dhe 530 fishekë luftarak, të cilët u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me celularin e të arrestuarit.

Njoftimi i policisë:

Fier/Goditje të njëpasnjëshme kundër armëmbajtjes pa leje, në vijim të megaoperacionit kombëtar “Sundimi i ligjit”.

Finalizohet operacioni policor i koduar “Shinat”. Sekuestrohen armë zjarri, armë gjahu dhe një sasi e konsiderueshme municioni luftarak.

Policia kap në flagrancë dhe vë në pranga poseduesin e armëve dhe të municionit.

Si rezultat i administrimit të menjëhershëm të informacioneve nga inteligjenca policore, të siguruara në kuadër të planit operacional “Sundimi i ligjit”, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, të DVP Fier, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Shinat”, si rezultat i të cilit u godit një tjetër rast i mbajtjes pa leje, të armëve dhe municionit.

Gjatë operacionit u kap në flagrancë dhe u vu në pranga shtetasi E. I., 31 vjeç, banues në Fier.

Nga kontrollet, 31-vjeçarit iu gjetën 1 armë zjarri kallashnikov, 1 armë gjahu, 2 krehra me fishekë dhe 530 fishekë luftarak, të cilët u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me celularin e të arrestuarit.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.