Tjetër konflikt në botë, përleshje të përgjakshme në kufirin Tajlandë-Kamboxhia

Të paktën 12 persona, përfshirë civilë dhe një ushtarak, kanë humbur jetën gjatë përleshjeve të ashpra mes forcave ushtarake të Tajlandës dhe Kamboxhias në një zonë kufitare të kontestuar, kanë njoftuar autoritetet tajlandeze.

Përplasjet shpërthyen të enjten në mëngjes, me të dyja palët që akuzojnë njëra-tjetrën për provokimin e parë. Tajlanda pretendon se Kamboxhia përdori raketa dhe armë të rënda, ndërsa forcat tajlandeze u kundërpërgjigjën me sulme ajrore ndaj objektivave ushtarake kamboxhiane.

Si pasojë, Tajlanda mbylli kufirin me Kamboxhian, ndërsa kjo e fundit njoftoi uljen e marrëdhënieve diplomatike dhe akuzoi Tajlandën për përdorim të forcës së tepruar.

Rreth 40 mijë civilë janë evakuuar nga zonat kufitare tajlandeze. Sipas ushtrisë tajlandeze, shumica e viktimave ishin banorë të provincave Surin, Ubon Ratchathani dhe Srisaket.

Ngjarja shënon një përshkallëzim serioz të një konflikti të vjetër kufitar që daton që nga fundi i kolonizimit francez në rajon. Mosmarrëveshja mori kthesë të fortë në vitin 2008, kur Kamboxhia kërkoi regjistrimin e një tempulli të lashtë si trashëgimi botërore në një zonë të diskutueshme.

Pavarësisht përpjekjeve për dialog, tensionet janë përkeqësuar muajt e fundit, duke sjellë kufizime të ndërsjella tregtare dhe përforcim të pranisë ushtarake në terren.

Kryeministri në detyrë i Tajlandës, Phumtham Wechayachai, tha se situata është “e ndjeshme” dhe kërkon zgjidhje të kujdesshme dhe në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Ndërkohë, homologu kamboxhian, Hun Manet, theksoi dëshirën për paqe, por paralajmëroi se vendi i tij është i detyruar të mbrohet nëse sulmohet.