Thundra, zagarë dhe heronj: Si u përdorën kafshët gjatë Luftës së Parë dhe II Botërore

Dy Luftërat Botërore, ishin periudha shumë të trazuara në historinë e njerëzimit. Ato cilësohen ende si dy nga luftërat më të rëndësishme dhe më shkatërruese të ndodhura ndonjëherë, duke diktuar zhvillimet e shekullit XX por edhe dekadat që do të pasonin. Por në mesin e kaosit të dy luftërave, kafshët luajtën role vendimtare, duke shërbyer si shoqërues besnikë, transportues, lajmëtarë dhe madje edhe si ushtarë në vijën e parë të frontit.

Qentë

Pjesëmarrja e tyre nuk është e habitshme, sepse dihet që ata janë ndër miqtë më të mirë të njeriut. Qentë shërbyen në funksione të ndryshme, si lajmëtarë, roje, në operacionet e kërkim-shpëtimit, madje edhe si skautë. Gjatë Luftës së Parë Botërore, qentë lajmëtarë bartnin informacione të rëndësishme nëpër fushën e betejës, duke shpëtuar shumë jetë ushtarësh dhe duke lehtësuar komunikimin midis njësive.

Lufta e Dytë Botërore solli një zgjerim të rolit të tyre. Qentë e luftës u trajnuan për detyrën e rojës, duke i paralajmëruar ushtarët për afrimin e armiqve, veçanërisht me formimin në vitin 1942 të njësisë K9 në Ushtrinë Amerikane. Qentë e kërkim-shpëtimit u përdorën për të gjetur ushtarët e plagosur, shpeshherë në mjedise shumë të vështira.

Sidomos Bashkimi Sovjetik, i përdori gjerësisht qentë e trajnuar për të mbajtur eksploziv mbi trupin e tyre për të sabotuar tanket e armikut dhe mjetet e blinduara të ushtrisë gjermane.

Kuajt

Kuajt ishin një pjesë integrale e operacioneve ushtarake gjatë Luftës së Parë dhe II Botërore. Në fazat e hershme të Luftës së Parë Botërore, ata ishin ende në përdorim njësitë e kalorësisë. Por lufta e llogoreve në Frontin Perëndimor i bëri ato më pak efektive. Megjithatë, kuajt vazhduan të luanin role jetike si kafshë transportuese, duke bartur artileri dhe furnizime

nëpër terrene të vështira.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, kuajt u përdorën sërish për mbështetje logjistike në zonat ku mjetet e mekanizuara e kishin të vështirë të lëviznin. Në kushtet e vështira të Evropës Lindore dhe Bashkimit Sovjetik, kuajt ishin vendimtarë për transportin e furnizimeve dhe pajisjeve, veçanërisht gjatë pushtimit të Bashkimit Sovjetik nga Gjermania naziste.

Mushkat, një kushëri i afërt i kalit, u përdorën gjithashtu në Luftën e Dytë Botërore, sidomos ato që u trajnuan në SHBA, dhe u dërguan në vijat e frontit për të transportuar ushqime, armë dhe shpeshherë njësi të tëra të këmbësorisë.

Pëllumbat

Të njohur për instinktet e tyre mbrojtëse, pëllumbat përdoreshin për të përcjellë mesazhe përmes linjave mbrojtëse të armikut, në rastet kur metodat tradicionale të komunikimit ishin jo të besueshme ose të pamundura. Mijëra pëllumba shërbenin si lajmëtarë, duke transmetuar informacione shumë të rëndësishme midis njësive ushtarake.

Një shembull i dukshëm është historia e ‘Cher Ami’ (Miku i Shtrenjtë), një pëllumb u përdor nga Korpusi i Sinjalit të Ushtrisë Amerikane gjatë Luftës së Parë Botërore. ‘Cher Ami’ dha me sukses një mesazh jetik që shpëtoi jetën e gati 200 ushtarëve, pavarësisht se u plagos vetë. Trimëria i dha zogut medaljen franceze “Croix de Guerre” (Kryqi i Luftës).

Kanarinat

Kanarinat janë përdorur shpesh në minierat e qymyrit për të zbuluar praninë e gazeve toksike. Ndjeshmëria e tyre e shtuar ndaj monoksidit të karbonit dhe gazrave të tjerë të rrezikshëm, i bëri ato shummë të vlefshme për të garantuar sigurinë e minatorëve dhe në disa raste

të personelit ushtarak që punon në mjediset nëntokësore.

Por këta zogj shërbyen edhe si tregues të gjallë të cilësisë së ajrit. Nëse kanarinat shfaqnin shenja shqetësimi apo i nënshtroheshin kushteve, kjo do të sinjalizonte nevojën për një evakuim të menjëhershëm ose përdorimin e pajisjeve mbrojtëse nga njerëzit që ndodheshin aty.

Devetë

Bikaner, sot një qytet në Rajasthan, Indi, ishte selia e Korpusit “Bikaner Camel”, që mori pjesë në disa luftëra të rëndësishme. Ai arriti sukses në një sulm me deve gjatë sulmit në Kanalin e Suezit kundër forcave turke. Po ashtu, kjo njësi shërbeu në sektorin e Lindjes së Mesme gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Në shkretëtirat e Afrikës së Veriut gjatë Luftës së Dytë Botërore, devetë u përdorën edhe për transport për zhvendosjen e e furnizimeve. Aftësia e tyre për të duruar kushtet e vështira të shkretëtirës, i bëri devetë shumë të përshtatshme për rajonin.

Elefantët

Edhe pse zakonisht nuk lidhen me luftën, elefantët luajtën një rol në logjistikë dhe transport, sidomos në terrenin sfidues të Azisë Juglindore. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, elefantët u përdorën si nga aleatët ashtu edhe nga fuqitë e Boshtit për të transportuar pajisje dhe furnizime të rënda nëpër xhungla të dendura dhe rajonet e thella malore, ku automjetet tradicionale e kishin shumë të vështirë të manovronin.

Macet

Përgjithësisht macet nuk u përdorën në role të drejtpërdrejta luftarake gjatë Luftës së Parë

dhe II Botërore. Megjithatë, ato shërbenin shpesh si maskota për njësitë ushtarake, si në tokë ashtu edhe në det. Ushtarët dhe marinarët do të adoptonin macet si shoqëruese, duke qenë një burim ngushëllimi dhe miqësie gjatë kohërave shumë sfiduese.

Një shembull i dukshëm në jetën reale i një maceje shoqëruese gjatë Luftës së Dytë Botërore është historia e Simonit, maçokut që jetoi në bordin e luftanijes “HMS Amethyst” të Marinës Mbretërore Britanike. Ekuipazhi i “HMS Amethyst” e adoptoi atë nga Hong Kongu, dhe ai shpejt u bë një shok i dashur për marinarët.

Gjatë periudhës intensive dhe sfiduese të Incidentit të Jances së vitit 1949 gjatë Luftës Civile Kineze, Simon i ofroi rehati dhe shoqëri ekuipazhit. Pavarësisht se u plagos në sulmin fillestar ndaj anijes, Simon vazhdoi të përmbushte detyrat e tij si një përforcues i moralit

të tyre.

Ai do të vizitonte marinarët e plagosur në gjirin e improvizuar të të sëmurëve, dhe do të ofronte një ndjenjë normaliteti dhe rehatie gjatë kohëve të vështira të bllokadës. Në fund, macja Simon i mbijetoi incidentit dhe iu dha Medalja Dickin, “Kryqi Viktoria i Kafshëve”, për guximin dhe kontributin e tij.

***Ky material është përkthyer dhe përshtatur nga The Daily Star. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Media Ditari” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.