Partia Demokratike po përçahet edhe më shumë. Tashmë brenda PD-së nuk janë më 2 grupe me ide të kundërta, por 3.
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, së bahsku me 17 anëtarë të Grupit Parlamentar njoftuan se do të bojkotojnë mbledhjen e nesërme të Këshillit Kombëtar. Ky bojkot i radhës vjen pas atij të mbledhjes së Kryesisë, ku Bardhi nuk ishte dakort që PD të zgjidhte kryetarin e ri menjëherë. Tashmë Bardhi ka pas vetes një pjesë të madhe të deputetëve demokratë, ndaj pritet me shumë interes lëvizja e tij e radhës.
Në deklaratën për mediat, ai u shpreh se ndarja nuk është në interesin më të mirë të demokratëve, por ajo i shërben vetëm kryeministrit Edi Rama dhe regjimit të tij. Sipas tij, nuk mund të ketë kompromis për shpërbërjen e Partisë Demokratike.
“Rruga që kemi nisur nuk mund t’i ngjajë proceseve fiktive që e kanë dëmtuar PD-në në të shkuarën. Kjo është një histori e shëmtuar dhe anti-statutore që nuk duhet të përsëritet më në Partinë Demokratike. Në këtë moment PD ka nevojë për maturi, jo konflikt, reflekti me jo urrejtje. Ka nevojë për mendimin ndryshe dhe jo përjashtime të reja. Kujt i shërben një tjetër konflikt në PD? Përse sajohen provokime dhe devijime nga statuti që na ndajnë, kur sot duhet të jemi bashkë. Kujt i intereson kjo ndarje? Di të them me siguri se është e qartë se ky nuk është interesi më i mirë i demokratëve dhe Shqipërisë. Një PD që humbet në debatet e brendshme i intereson vetëm Edi Ramës dhe regjimit të tij.
Ky qëndrim nuk më shërben mua. Do ishte e lehtë të bënim rolin sa për të marrë një post, por ju siguroj se as nuk kemi dhe as nuk do bëjmë kompromis për shpërbërjen e PD-së. Nuk ka kompromis për këtë. Beteja e kolegëve të mi ka vetëm një qëllim, të qëndrojmë përballë pushtetit dhe të kthehemi në alternativë qeverisëse”, u shpreh ai.