The Times jehonë revoltës së të rinjve, Kapri: Protestat studentore, vazhdim i “Revolucionit të Flamingove”

Kryeministri i Shqipërisë ka refuzuar të japë dorëheqjen, pavarësisht protestave të dhunshme të studentëve, të cilat kanë shkaktuar kaos në rrugët e Tiranës.

Protestat vijuan edhe të enjten, duke hyrë në ditën e tretë, pasi mijëra protestues i vunë flakën një godine qeveritare dhe dy bankave, si dhe hodhën gurë në drejtim të policisë të mërkurën.

Demonstruesit kërkojnë dorëheqjen e Edi Ramës për shkak të kostove të larta të studimeve universitare dhe pretendimeve për korrupsion. Të enjten, protestuesit bllokuan qarkullimin në disa pjesë të qendrës së qytetit, ndërsa brohorisnin: “Rama, jep dorëheqjen!”.

Rama iu përgjigj me sfidë valës më të dhunshme të kundërshtimit ndaj pushtetit të tij 13-vjeçar.

“Sa u përket thirrjeve për dorëheqjen time, qeveritë ndryshohen përmes zgjedhjeve demokratike. Ne zhvilluam zgjedhje vitin e kaluar, jo revolucion”, deklaroi kryeministri në një reagim të shpërndarë për gazetën The Times nga zyra e tij e shtypit.

Rama, kreu i Partisë Socialiste, i cili vitin e kaluar u zgjodh për një mandat të katërt, pjesërisht mbi premtimin për të siguruar anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, shtoi se ai ishte një faktor kyç në luftën kundër korrupsionit përpara anëtarësimit të mundshëm të vendit në bllok.

“Korrupsioni duhet të përballet drejtpërdrejt dhe, siç ka rikonfirmuar së fundmi vetë BE-ja, Shqipëria po e lufton atë si kurrë më parë”, tha Rama, i cili synon që vendi të anëtarësohet në Bashkimin Evropian që në vitin 2028.

Protestat nisën të martën përpara Ministrisë së Arsimit, ku pjesëmarrësit denoncuan kushtet e dobëta në universitete dhe koston e lartë të jetesës.

Ato vijuan të mërkurën, kur protestuesit i vunë flakën katit të parë të ministrisë dhe shënjestruan gjithashtu Kryeministrinë, Parlamentin dhe seli të tjera ministrore.

Protestuesit, disa prej të cilëve të maskuar, hodhën gurë dhe bomba molotov. Policia u kundërpërgjigj me gaz lotsjellës dhe autobotë me ujë, ndërsa përplasjet vijuan deri në mesnatë.

Një degë e Raiffeisen Bank, pranë Ministrisë së Arsimit, u përfshi gjithashtu nga flakët. Në pamjet e shpërndara në internet shihen protestues që hedhin barriera metalike, të shkëputura nga anët e trotuareve, si dhe shtyjnë kontejnerë të mëdhenj mbeturinash, të cilëve u është vënë flaka.

Ministri i Brendshëm, Ervin Dema, deklaroi se politikanë të opozitës dhe “aktorë të huaj” po shfrytëzonin pakënaqësinë e studentëve për të destabilizuar vendin përmes përplasjeve të dhunshme.

Erald Kapri, deputet i Partisë së Mundësisë (Opportunity Party) të qendrës së djathtë, pohoi se policia po ndalonte një numër të panjohur të miturish që kishin marrë pjesë në protesta. “Ata po i rrahin brutalisht studentët e rinj,” tha ai për “The Times”.

Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri u bëri thirrje autoriteteve që reagimi i tyre të ishte proporcional, pas “pretendimeve për përdorim të tepruar të dhunës nga policia ndaj protestuesve dhe gazetarëve”.

Të enjten, Rama vizitoi një institut pasuniversitar në Tiranë, i cili ishte dëmtuar nga zjarri gjatë akteve të dhunshme.

“Këto janë duart që kërkojnë ta tërheqin Shqipërinë poshtë sa herë që ajo përpiqet të ngrihet”, tha kryeministri gjatë vizitës.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, 79 persona, përfshirë 61 punonjës policie dhe 18 protestues, morën trajtim mjekësor në Spitalin e Traumës në Tiranë si pasojë e përplasjeve. Dhjetë persona të tjerë u trajtuan në Spitalin Universitar të Traumës “Nënë Tereza”.

Përplasjet e fundit vijnë pas protestave mbarëkombëtare të zhvilluara gjatë verës, në të cilat protestuesit kërkuan largimin e Ramës nga pushteti.

Protestat e qershorit dhe korrikut u nxitën nga lajmi se Ivanka Trump, vajza e presidentit amerikan, dhe bashkëshorti i saj, Jared Kushner, do të zhvillonin një resort luksoz turistik me vlerë 1,4 miliardë euro në bregdetin jugor të Shqipërisë. Projekti do të prekte një zonë të mbrojtur, ku jetojnë breshka detare dhe flamingo.

Kapri hodhi poshtë pretendimin se protestat ishin frymëzuar nga demonstratat studentore që shpërthyen në Francë muajin e kaluar. Sipas tij, ato janë vazhdim i një vale protestash kundër projektit të resortit luksoz, të cilat janë pagëzuar me emrin “Revolucioni i Flamingove”.

“Në thelb, kjo është pjesë e një proteste që ka vijuar prej më shumë se 130 ditësh”, tha Kapri, duke iu referuar demonstratave studentore.

Pretendimet për korrupsion kanë shoqëruar qeverinë e Ramës gjatë muajve të fundit.

Belinda Balluku, ish-zëvendësja e tij, u akuzua vitin e kaluar nga autoriteti shqiptar kundër korrupsionit për dhënien e kontratave të ndërtimit kontraktorëve të paracaktuar, megjithëse ajo gëzon imunitet parlamentar.

Në reagimin e tij, Rama la të kuptohej se mund të ishte i gatshëm të bënte lëshime ndaj studentëve. Ai deklaroi se respektonte “të drejtën themelore për të protestuar” dhe se qeveria e tij ishte “e gatshme të angazhohej në dialog”.

Megjithatë, ai dënoi përdorimin e dhunës nga protestuesit.

“Ekziston një dallim i qartë midis protestës paqësore dhe dhunës. Midis studentëve dhe banditëve”, përfundoi Rama.