“Territor i pastër”, megaoperacioni anti-drogë i Policisë për ta bërë “LIGJËRISHT PIS” Shqipërinë

Prej disa javësh Policia e Shtetit është angazhuar maksimalisht për parandalimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike. Megaoperacioni “Territor i Pastër” deri më tani ka kryer 31 faza dhe ka gjetur e asgjësuar 17955 bimë narkotike kanabis, teksa të fundit janë gjetur në malësinë e Krujës.

Operacionet anti-drogë në Shqipëri ndodhin pothuajse çdo vit, por këtë herë Policia e Shtetit është angazhuar edhe më shumë, për shkak se kanabisi i paligjshëm do t’ia lërë vendin kanabisit të ligjshëm, sepse vetëm pak ditë më parë në Parlament u miratua ligji për legalizimin e kanabisit për kontroll mjekësor.

Pra, Shqipëria do të vijojë të ketë kanabis, por këtë herë gjithçka do të jetë në dorën e shtetit, që do të pajisë me licensa disa kompani, për ta kultivuar dhe më pas eksportuar në të gjihë botën. “Territor i pastër” e ka quajtur Policia megaoperacionin që po zhvillon, por ajo që po bën, është thjesht përgatitje e terrenit për ta bërë sërish “pis” territorin, por këtë herë me bekimin e  qeverisë dhe Parlamentit.

Njoftimi i fundit i Policisw sw Shtetit:

Krujë/Vijojnë kontrollet intensive për parandalimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike.

Finalizohet faza e 31-të e megaoperacionit policor antikanabis të koduar “Territor i pastër”.

Si rezultat i kësaj faze u asgjësuan 609 bimë narkotike kanabis, që u gjetën të kultivuara në malësinë e Krujës.

Më parë, në kuadër të këtij operacioni, janë gjetur dhe asgjësuar 17 955 bimë narkotike kanabis.   

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë kanë vijuar intensivisht kontrollet në malësinë e Krujës dhe në fshatra të ndryshme të rrethit, duke përdorur dhe dronë, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike.

Si rezultat i kontrolleve të ushtruara në kuadër të fazës së 31-të të megaoperacionit policor antikanabis të koduar “Territor i pastër”, në malësinë e Krujës, u gjetën të kultivuara 609 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa, të cilat u asgjësuan me anë të djegies.  

Megaoperacioni policor antikanabis i koduar “Territor i pastër”, vijon. 

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.