Tërmet Peçi mbi 1 orë në SPAK, çështja për të cilën u pyet deputeti socialist

Një orë ka qëndruar në ambientet e SPAK, deputeti i Partisë Socialiste, Tërmet Peçi. Pasi doli nga SPAK, ai u pyet nga gazetarët mbi arsyet se përse ishte thirrur nga prokurorët, por ish-kryebashkiaku i Tepelenës nuk dha asnjë detaj.

“Të fala Ristanit”- tha shkurtimisht Peçi duke u larguar pas dhënë më shumë sqarime.

Burime për mediat bëjnë me dije se ai është thirrur në SPAK lidhur me një kallëzim për një aferrë korruptive që demokrati Arben Ristani ka bërë ndaj ish-kryebashkiakut të Tepelenës, pak para zgjedhjeve të 11 Majit.

Sipas kallëzimit të PD, referuar emisionit “PLUG”, Tërmet Peçi akuzohet se bashkë me drejtorin e tij në Bashki, Lorenc Bami kanë krijuar një skemë të mirëfilltë korruptive me kompaninë “NG STRUCTURES” për të përfituar 18 milionë euro të ardhura nga paratë e taksapaguesve shqiptarë dhe 66 milionë euro tendera në total nga institucionet publike, ku spikasin ato të rindërtimit.