Tentoi të shiste makinat e klientëve, arrestohet pronari i servisit në Astir

Policia e Tiranës ka arrestuar pronarin e një servisi automjetesh në zonën e Astirit, i dyshuar për mashtrim ndaj klientëve.

Blutë e Tiranës njoftojnë se Mirjan Hasa dyshohet se nuk ka kryer riparimet për automjetet që i ishin lënë në servis, edhe pse pronarët kishin paguar shërbimet. Autoritetet kanë dokumentuar deri tani 6 raste të kësaj veprimtarie kriminale.

Njoftimi i policisë:

Arrestohet pronari i një servisi automjetesh në Astir, për mashtrim.

Dokumentohen 6 raste të kësaj veprimtarie kriminale, të kryera nga ky shtetas.

I arrestuari, përveçse nuk ka riparuar automjetet për të cilat është paguar, në disa raste ka tentuar t’i shesë ato.

Sekuestrohen nga ambientet e subjektit, 5 automjete, të cilat iu lanë në ruajtje pronarëve të tyre.

Si rezultat i veprimeve hetimore dhe procedurale, të kryera menjëherë pas kallëzimeve të disa qytetarëve, se nuk kishin iu ishin riparuar automjetet, pavarësisht se i kishin paguar paratë, pronarit të një subjekti në këtë fushë, në zonën e quajtur “Astiri”, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6 finalizuan operacionin e koduar “Skema”.

Në kuadër të operacionit u arrestua shtetasi i dyshuar për veprën penale “Mashtrimi”, M. H., 37 vjeç, si dhe u dokumentuan 6 raste të kësaj veprimtarie kriminale. Përveç mashtrimit, nga hetimet dyshohet se në disa raste, 37-vjeçari ka tentuar të shesë automjetet që i ishin lënë për riparim.

Punohet për dokumentimin e rasteve të tjera në këtë fushë, që mund të ketë kryer shtetasi M. H.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.