Tentoi të qëllonte me armë ndaj efektivëve, kush është Endrit Sadedini që u arrestua sot në Vlorë

Endrit Sadedini është i riu i cili është arrestuar ditën e sotme në Vlorë pas një operacioni të policisë. Ai është një emër i njohur për policinë, pasi u ka shpëtuar dy atentateve, njëri me tritol më 19 dhjetor 2021. 

Ndërkohë edhe në 2019,  i është vendosur një sasi e madhe eksplozivi në makinë, e cila nuk ka shpërthyer, pasi e ka pikasur në kohë.

Gjatë kontrollit të ushtruar ndaj tij sot, Policia gjeti dhe sekuestroi një armë zjarri pistoletë, së bashku me një karikator me municion luftarak.

Sadedini në momentin që pa shërbimet e Policisë, tentoi të largohej dhe iu ka drejtuar armën e zjarrit shërbimeve të Policisë, por s’ka mundur të qëllojë apo të largohet, pasi, falë profesionalizmit të forcave të Policisë, është bërë e mundur neutralizimi dhe arrestimi i tij.

Arma e zjarrit do t’i nënshtrohet ekspertizës balistike për të verifikuar nëse është përdorur në ngjarje kriminale të mëparshme. Gjithashtu, në lidhje me këtë ngjarje është proceduar në gjendje të lirë për moskallëzim krimi shtetasi M. Sh., 33 vjeç, i cili lëvizte bashkë me 38-vjeçarin, tashmë të arrestuar.