Tentoi të kontrabandonte aksesorë me vlerë 150 mijë euro, policia prangos amerikanin

Një amerikan 23- vjeçar tentoi të kontrabandonte në Shqipëri aksesorë dhe veshje me një vlerë prej 150 mijë euro. Po ashtu atij iu gjetën edhe fatura me vlerë 14 300 dollarë.

Rinas/Angazhim maksimal i shërbimeve të Policisë Kufitare, për të menaxhuar fluksin në hyrje/dalje, si dhe për të parandaluar dhe për të goditur krimet kufitare.

Si rezultat i kontrolleve të shtuara, goditet një rast i kontrabandës së mallrave.

Arrestohet në flagrancë një 23-vjeçar (shtetas amerikan) që tentoi të kontrabandonte në Shqipëri, veshje dhe aksesorë të ndryshëm, si dhe disa fatura me vlerë rreth 14 300 dollarë.

Sekuestrohen veshjet dhe aksesorët me vlerë mbi 150 000 euro.

Si rezultat i angazhimit maksimal të shërbimeve të Policisë Kufitare Rinas, në bashkëpunim me autoritetet doganore, për parandalimin dhe goditjen e krimeve kufitare, krahas punës për ofrimin e shërbimit cilësor për qytetarët në hyrje/dalje, është goditur 1 rast i kontrabandës së mallrave.

Në bazë të analizave të riskut, në hyrje, u kalua për kontroll shtetasi amerikan H. Z., 23 vjeç.

Gjatë kontrollit në valixhet e këtij shtetasi, janë gjetur mallra të ndryshme që ai nuk i kishte deklaruar në doganë, siç përcaktohet me ligj.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar veshje dhe aksesorë të markave të ndryshme (ora dore, syze dielli, çanta etj.) dhe disa fatura  me vlerë rreth 14 300 dollarë.