Tensionohet protesta e qytetarëve përpara Bashkisë së Tiranës, ku qytetarët janë përplasur fizikisht me efektivët e Policisë.
Pas molotovëve të hedhur në derën e bashkisë dhe mollëve e vezëve në drejtim të godinës, protestuesit kanë arritur të heqin kordonin e hekurit që ishte vendosur nga Policia e Shtetit.
Në krye të protestuesve janë Flamur Noka, Tedi Blushi dhe Klevis Balliu, teksa dhjetëra qytetarë janë bashkuar me ta në përplasjen me efektivët.
Ndërkohë, dyert e Bashkisë janë mbyllur, teksa në tarracë qëndrojnë disa policë civilë, çfarë ka irrituar edhe më shumë protestuesit. Me pankarta në duar, ata kërkojnë largimin e kryebashkiakut Erion Veliaj, të cilin e akuzojnë si bashkëpunëtor të aferës “5D”.