Ambasadori i BE në vendin tonë Silvio Gonzato, ka reaguar lidhur me tensionet e krijuara dje në Kuvend, ku opozita në shenjë revolte mblodhi karriget dhe i dogji ato në shkallët e godinës.
Në një deklaratë për mediat ambasadori i BE tha se është për të ardhur keq që disa deputetë e shprehin kundërshtimin ndaj një ideje duke përdorur dhunë ndërsa bëri thirrje që të ulë tensionet.
Ai tha më tej se është shumë e rëndësishme që Kuvendi i Shqipërisë të luajë rolin e duhur në mënyrë që Shqipëria të bëhet anëtar i BE në një demokraci funksionale.
“Është për të ardhur keq, disa përfaqësues të opozitës përdorën mënyra që ndërpresin mbarëvajtjen e jetës parlamentare në Kuvend. Për çfarëdo ideje që kemi nuk është kjo mënyra për ta shprehur mendimin. Në një demokraci funksionale si Shqipëria pakënaqësitë duhet të shprehen në mënyrën e duhur e nuk duhet të përdoren dhunë apo dëmtime ndaj pronës për të shprehur mendimin – deputetët e kuvendit duhet të kenë mundësinë të përmbushin rolin e tyre në siguri të plotë. Të ndalohet përshkallëzimi i situatës dhe të shmangen sulmet personale dhe verbale “, ka thënë Gonzato.
Kujtojme që Partia Demokratike ka deklaruar ndërprerjen e marrëdhënieve institucionale me mazhorancën, ndërsa më 7 tetor, ora 18:00, ka thirrur një protestë në Tiranë, e cila pritet të nisë para godinës së Kryeministrisë.
Gjithashtu është paralajmëruar se grupe protestuesish do të bllkojnë akset rrugore, kryqëzime apo arterie rrugësh, në një formë të mosbindjes civile.
Opozita akuzon Kryeministrin Edi Rama lidhur më dënimin me 1 vit burg të deputetit Ervin Salianji, i cili prej të premtes ndodhet në burgun e Fierit.