Komisioni i Prokurimit publik pranoi pjesërisht një ankesë të bërë pranë tij nga bashkimi i tre operatorëve lidhur me një procedurë që parashikonte ndërtimin e ujësjellësve dhe nën objekteve të furnizimit me ujë për rajonin e Korçës.
Procedura me fond limit rreth 146 milionë lekë apo rreth 1.5 milionë euro është kërkuar që të anulohet. Konkretisht kërkohet anulimi i Vendimit të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave dhe nga autoriteti kontraktor në këtë rast shoqëria e Ujësjellës Kanalizimeve në Korçë të merren masa për ta zbatuar.
Duke analizuar në disa pika se ku qëndronin pretendimet e operatorëve KPP argumentoi se duke marrë shkak nga faktet dhe nga vlerësimi i Autoritetit Kontraktor “për ketë procedure prokurimi, kemi bindje se K.V.O ka shkelur ligjin e prokurimit publik si dhe VKM përkatëse duke na kualifikuar ne mënyrë te padrejtë operatorin ekonomik , sepse ky operator nuk i përmbush te gjitha kriteret kualifikuese te përcaktuara nga AK për ketë procedurë prokurimi.
Nisur nga kjo gjendje faktike dhe juridike kemi bindjen e pakundërshtueshme se autoriteti kontraktor/komisioni i vlerësimit të ofertave ka vlerësuar në kundërshtim me kriteret e përzgjedhjes së fituesit ofertën , duke e kualifikuar në mënyrë të padrejtë dhe të pa mbështetur dhe argumentuar këtë operator ekonomi”.
Procedura në fjalë u hap në muajin tetor nga ana e autoritetit kontraktor dhe në të morën pjesë 10 operatorë. Projekti që do të zbatohet synon ndërhyrjë në disa pjesë rurale.
Konkretisht zona e projektit është e vendosur në rajonin e Korçës dhe parashikon përmirësimin e furnizimit me ujë të pijshëm dhe investime në depo dhe rrjete shpërndarëse në fshatrat Miras, Vidohovë, Eçmenik, Vreshtas, Bejkovë, Vodicë, Borovë, Tren, Zëmblak dhe Sovjan.
Kohëzgjatja e kontratës sipas parashikimeve të bëra në dokumenta në fazat e hershme të prokurimit ishte 5 muaj por tashmë mbetet për t’u parë nëse do të rihapet nga e para e njëjta procedurë apo do të ketë modifikime./Monitor