Telegramet Vili-Niki:Si u përpoqën Cari dhe Kajzeri të shmangnin nisjen e Luftës së Parë Botërore

Lufta e Parë Botërore – e njohur ndryshe edhe si Lufta e Madhe – ishte një periudhë trazirash të mëdha, ku superfuqitë globale u përballën për disa vite në beteja të përgjakshme dhe vdekjeprurëse. Ajo u shkaktua nga vrasja e arkidukës austriak Franc Ferdinand, e cila ndodhi në një kohë tensionesh të larta në Evropë.

Por ajo që nuk dinë shumë njerëz, është se 2 udhëheqës, Kazjeri Vilhelm i Gjermanisë dhe Car Nikolla II i Rusisë, u përpoqën të shmangnin përhapjen e konfliktit, edhe pse nuk patën sukses. Gjatë viteve 1871-1914, Evropa përjetoi një periudhë paqeje relative, që u quajt nga shumë historianë dhe studiues si “La Belle Époque” (Epoka e Bukur).

Ajo periudhë u karakterizua nga optimizmi, përparimet teknologjike, zhvillimi ekonomik dhe ai i arteve, dhe cilësohet shpesh edhe si “Epoka e Artë” e Evropës midis luftërave të zhvilluara nga Napoleon Bonaparti dhe Luftës së Parë Botërore.

Gjatë kësaj kohe, e drejta ndërkombëtare dhe Gjykata e Hagës ndërhynin shpesh për të zgjidhur grindjet e vogla midis kombeve, duke ndërmjetësuar me sukses arritjen e paqes dhe duke e zgjatur një epokë të re, e cila mendohej se e kishte lënë pas egërsinë e luftës. Ose të paktën kështu dukej.

Mjerisht “Belle Époque” përfundoi në verën e vitit 1914, kur u shpall lufta midis Austro-Hungarisë dhe Serbisë pas vrasjes së Franc Ferdinandit. Shpallja e luftës, e paraprirë nga tensionet dhe pasiguria, shkaktoi një efekt domino, e cila e zhyti Evropën dhe më pas botën, në një konflikt të përgjakshëm disavjeçar.

Pak para shpërthimit të dhunës, dy monarkë, ithtarë të diplomacisë së stilit të vjetër, u përpoqën që të shmangnin më të keqen përmes korrespondencës personale. Ata ishin udhëheqësit e dy prej vendeve më të fuqishme në Evropën kontinentale:Kajzeri i  Vilhelm i Gjermanisë dhe Car Nikolla II i Rusisë.

Por ata ishin gjithashtu nipërit e mbretëreshës Viktoria të Britanisë së Madhe, pra ishin kushërinj mes tyre. Për shkak të lidhjeve të tyre familjare, Nikolla dhe Vilhelmi u rritën bashkë, duke krijuar një lidhje të fortë me njëri-tjetrin. Por kur arritën në moshë madhore dhe morën udhëheqjen e vendeve të tyre përkatëse, bota kishte ndryshuar shumë.

Gjithsesi në prag të Luftës së Parë Botërore, të dy komunikuan me njëri-tjetrin, me shpresën se do të ulnin tensionet që ishin përshkallëzuar shumë. Ajo korrespondencë hyri në histori si “Telegramet Vili-Niki”, për shkak të pseudonimeve që përdorën të dy kur i drejtoheshin njëri-tjetrit.

Ato u zbuluan vetëm në vitin 1918, dhe u botuan me nxitim nga gazetari amerikan, Herman Bernshtein, që në atë kohë kishte për detyrë të mbulonte Revolucionin e Tetorit në Rusi. Telegrami i parë u dërgua nga Nikolla vetëm disa orë pas shpalljes së luftës midis Austro-Hungarisë dhe Serbisë.

Korrespondenca përfshinte gjithsej 10 telegrame, të dërguara midis 29 korrikut dhe 1 gushtit 1914, kur konflikti global kishte nisur tashmë. Në fillim, Cari ia përcolli shqetësimet e tij Vilhelmit në lidhje me përkeqësimin e situatës dhe e nxiti t’i shmangej përfshirjes në të:

“Unë parashikoj se shumë shpejt do të bie pre e presionit, dhe do të detyrohem të marr masa ekstreme që do të në çojnë në luftë. Që të shmangim një katastrofë të tillë, siç është një luftë në Evropë, unë ju lutem në emër të miqësisë sonë të vjetër që të bëni gjithçka që mundeni për t’i ndaluar aleatët tuaj të shkojnë shumë larg. Niki”.

Në pritje të luftës, Rusia kishte mobilizuar trupat e saj afër kufirit me Austro-Hungarinë, duke pritur ecurinë e ngjarjeve. Ai mobilizim ishte një vendim i udhëheqjes politike dhe ushtarake të vendeve dhe jo e vetë Car Nikollës. Në atë pikë, të dy monarkët nuk ishin asgjë më shumë sesa përfaqësues të kombeve të tyre, të gjendur në një situatë delikate midis publikut dhe politikanëve.

Për këtë arsye “Telegramet Vili-Niki” tingëllojnë si rrëfimi imagjinar i dy sundimtarëve hyjnorë, që përpiqen të negociojnë një armëpushim bazuar vetëm tek opinionet dhe interesat e tyre personale. Ndërsa Vilhelmi u përpoq të bindte Nikollën se Serbia duhej të ndëshkohej për mbështetjen e vrasjes së Franc Ferdinandit, Cari u përgjigj se ishte detyra e tij të mbronte aleatin më të dobët të Rusisë, pasi kjo ishte një çështje nderi dhe prestigji.

Të dy vazhduan të diskutonin opsionet mbi frenimin e konfliktit të mundshëm, dhe parandalimin e përhapjes së tij në të gjithë Evropën, duke arritur mirëkuptim në një moment, dhe duke rënë dakord për të mbikëqyrur një hetim në lidhje me atentatin e Sarajevës.

Toni midis tyre ishte miqësor, dhe të dy e siguruan njëri-tjetrin se qëllimet e tyre ishin të ndershme dhe të drejta, dhe se një luftë e gjithanshme në Evropë duhej të shmangej me çdo kusht. Megjithatë, ata nuk e dinin se ishin të bllokuar tek ajo që Henri Kisinger e cilësoi disa dekada më vonë si “Makina e Apokalipsit”.

Kisinger e përdori këtë term për të përshkruar mënyrën se si Evropa ishte në atë kohë peng i një mekanizmi aleancash, protokollesh dhe kalendarësh mobilizimi ushtarak, që pasi vihej në lëvizje, ishin pothuajse e pamundura për t’u ndalur me akte të thjeshta diplomatike.

Shpallja e luftës nga Austro-Hungaria ndaj Serbisë, shkaktoi reagim nga të gjitha palët që kishin probleme të ndryshme për të zgjidhur me njëra-tjetrën. Dhe nuk kishte asnjë gjest në botë, që mund të parandalonte shpërthimin e dhunës që pasoi.

Megjithëse Car Nikolla arriti që të anulonte mobilizimin e përgjithshëm në Rusi, vendimi i tij u kundërshtua nga Ministri i tij i Jashtëm, Sergej Sazonov, i cili arriti ta bindte Carin se akte të tilla të vullnetit të mirë, nuk ishin lëvizje të mençura në kohën e një rreziku të madh.

Kur Vilhelmi e kuptoi se ishte shumë ngurrues për të tërhequr trupat e tij nga kufiri, ai i dërgoi kushëririt të tij një përgjigje të ftohtë, në të cilën shprehej:“Përgjigja e menjëhershme, e qartë dhe e pagabueshme nga qeveria juaj, është e vetmja mënyrë për të shmangur mjerimin e pafund. Derisa të kem marrë këtë përgjigje, unë nuk jam në gjendje ta diskutoj çështjen e telegramit tuaj. Në fakt, unë duhet t’ju kërkoj që të urdhëroni menjëherë trupat tuaja që të mos kryejnë në asnjë mënyrë aktin më të vogël të shkeljes së kufijve tanë. Vili”.

Ky ishte mesazhi i fundit midis dy liderëve. Menjëherë pas atij momenti, ata u shndërruan në  armiq të paepur, dhe ajo që pasoi ishte një luftë e gjatë dhe shkatërrimtare, e cila i kushtoi botës miliona jetë njerëzish dhe solli shpërbërjen e disa perandorive.

Përkthyer nga:

https://www.thevintagenews.com/2023/10/25/willy-nicky-telegrams/