Ish-kryeministri Sali Berisha ka dalë sot në një konferencë për shtyp ku ka theksuar edhe njëherë nevojën e një minimumi jetik prej 200 euro për personat në nevojë, pensionistët dhe studentët.
Ai tha se këto fonde, do përcaktohen me ligj në buxhetin e shtetit çdo vit. Këtë Berisha e quajti një përgjegjësi ligjore për situatën ku ndodhet vendi dhe tha se 200 euro të propozuara janë sa ¼ e asaj që ofron Bashkimi Europian. Sipas ish kryeministrit sot vendi ynë ka një hendek të madh ndër më të mëdhenjtë që një komb mund të ketë, midis të pasurve dhe të varfërve në Shqipëri.
” E vërteta është se hendeku është më i madh në çdo komb tjetër, në Ballkan dhe Europë. Ka një shkak themelor që ka krijuar këtë hendek, është vjedhja e madhe që i bëhet qytetarëve, pasurimi duke vjedhur të varfërve nga qeveritarët dhe oligarkëve të tyre. Shqipëria është vendi i vetëm që nuk i garanton dhe mbron qytetarët nga minimumi jetik, me të cilin ata mund të blenë ushqimet si individ dhe familje, dhe pak më shumë e të ardhurave duhet ti mbeten për plotësimin e nevojave të tjera. Avokati i Popullit e ka llogaritur këtë minimum jetik rreth 200 euro, pra është llogaritur ¼ nga BE ku është 840 euro.
Çmimet e ushqimeve bazë janë të njëjta dhe në disa raste më të kushtueshme sesa në mesataren e BE, por vendosja e një pagese prej 200 euro si minimum jetik për person është pa diskutim një përgjigje e situatës emergjente që ndodhet vendi. Nga kjo pagesë përfitojnë mbi 85% e pensionistëve, të gjithë familjet me ndihmë ekonomike që marrin një mbështetje qesharake, maksimumi 80 mijë lekë, kategori të tjera por duhet të përfitojnë studentët. Shtrirja, vendosja me ligj është një përgjigje ligjore që i jepet kësaj situate katastrofale që ndodhet vendi me kërcënim të madh për varfëri dhe mjerim, si asnjë vend tjetër në Europë”, tha Berisha.