“Të trefishohet bonusi i bebes”, PL shkresë qeverisë: Ulja drastike e lindjeve është Emergjencë Kombëtare

PL i ka dërguar sot një shkresë qeverisë ku i kërkon të trefishojë bonusin e bebes dhe të heqë kategorizimin në bazë të numrit të fëmijëve.

Deputetja Erisa Xhixho, në daljen për mediat nga Kuvendi ka thënë se prindërit shqiptarë duhet të inkurajohen në një kohë që ka rënie drastike të numrit të lindjeve dhe emigrim masiv. PL ka kërkuar që çështja të trajtohet si një emergjencë kombëtare.

“Në Kuvend ka ardhur projektligji “Për asistencën sociale në Republikën e Shqipërisë” ku po diskutohen amendamentet sa i përket bonusit të bebeve, një ligj i cili në kontekstin e sfidave që po kalon familja shqiptare sot, merr një rëndësi të madhe”, tha Xhixho.

“Shqipëria po përballet me emigrimin masiv, i cili së bashku me rënien drastike të numrit të lindjeve janë bërë shkaktarë të tkurrjes së popullsisë. Ky dimër demografik po rrit me shpejtësi moshën mesatare të popullsisë së Shqipërisë, kur para pak vitesh ishte një nga vendet më të reja në Europë. Numri i lindjeve ka rënë me rreth 17% në tremujorin e parë të vitit 2023, duke arritur në nivelet më të ulëta historike në shumë dekada. Ky është numri më i ulët i lindjeve i regjistruar ndonjëherë në një tremujor, të paktën që pas viteve ‘90”, theksoi Xhixho.

“Në këtë situatë dramatike që po kalon vendi, përkrahja e familjeve që bëhen me fëmijë është emergjencë kombëtare. Duke i asistuar financiarisht këto familje, mund të përmirësojmë kushtet e tyre dhe nga ana tjetër të inkurajojmë çiftet e reja për të sjellë në jetë fëmijë”, përfundon Xhixho.