Të rinjtë shqiptarë po ikin çdo ditë, Bajram Begaj kërkon punëtorë dhe studentë nga Bangladeshi

Ndërsa të rinjtë shqiptarë po largohen masivisht nga vendi çdo ditë drejt Gjermanisë, Italisë apo çdo cepi tjetër të botës ku gjejnë një mundësi më të mirë jetese, Presidenti Bajram Begaj ka një tjetër prioritet: të sjellë punëtorë dhe studentë nga Bangladeshi.

Në vend që të përqendrohet në arsyet pse Shqipëria po zbrazet, në vend që të kërkojë mënyra për të mbajtur të rinjtë shqiptarë në Atdhe, Presidenti ka shkuar në OKB për të bërë thirrje që shqiptarët të zëvendësohen me bangladeshas.

Në një takim me Muhammad Yunus, që udhëheq Bangladeshi pas rrëzimit të kryeministres Sheikh Hasina, Begaj u shpreh me krenari se Shqipëria ka nevojë për punëtorë dhe se kompanitë shqiptare kanë filluar të aplikojnë për të punësuar nga Bangladeshi, raportojnë mediat e huaja.

Pra, për punëtorët shqiptarë që janë larguar ose s’pranojnë të punojnë për pagat mjerane që ofron tregu vendas, zgjidhja është importi i bangladeshasve.

Ironia nuk mbaron këtu. Presidenti foli edhe për studentët nga Bangladeshi, të cilëve universitetet shqiptare janë gati t’u hapin dyert. Ndoshta Begaj nuk është në dijeni që vetë universitetet shqiptare po mbijetojnë me zor, ndërkohë që maturantët shqiptarë po aplikojnë për studime jashtë në mënyrë masive.

Po ashtu, teksa qytetarët tanë enden nëpër ambasada për të marrë një vizë pune apo për të kërkuar azil në Europë, Begaj premton e-viza të thjeshtuara për shtetasit e Bangladeshit. Një paradoks i denjë për absurditetin e vendit tonë: shqiptarët presin me muaj për një takim në ambasadën gjermane, ndërsa bangladeshasit do marrin vizën shqiptare me dy klikime.

Ndërsa për vendin tonë nuk ka as plane konkrete për të ndalur ikjen e trurit dhe krahut të punës, për qytetarët e Bangladeshit parashikohen “iniciativa njerëzore, praktike dhe të fokusuara tek qytetari”.

Kjo është një tjetër dëshmi e shkëputjes totale të elitës politike nga realiteti. Shqiptarët ikin, Shqipëria zbrazet, por Begaj sheh nga Bangladeshivpër të plotësuar boshllëkun që ka krijuar ai dhe mazhoranca që e zgjodhi.