Shifrat e papunësisë, Erion Muça: Trajtimi jo dinjitoz i punonjësve stimulon emigracionin
INSTAT: Nga rreth 163 mijë të papunë, 19 mijë janë të rinj. Eksperti flet për shifra shumë më të larta të papunësisë, pasi 79% e punësimit realizohet në mënyrë informale dhe jo përmes zyrave të punës
Niveli i papunësisë ka qënë dhe duket se do të vazhdojë të jetë një ndër faktorët kryesorë që e kategorizojnë Shqipërinë ndër vendet më të varfra në Evropë. Sipas shifrave të INSTAT, shkalla e papunësisë në Shqipëri, në vitin 2021, ishte 11,5% që do të thotë se rreth 163.000 persona janë të papunë. Gjithnjë sipas shifrave të INSTAT, në kategorinë e të papunësve në moshën 16-29 vjeç, janë regjistruar pranë zyrave të punës 18 e 650 të rinj të deklaruar si të papunë. Është një kontigjent i të papunëve që shkojnë të regjistrohen pranë zyrave të punës dhe në fakt është një përqindje e vogel në krahasim me shifrën reale të papunësisë. Shumica e të rinjve nuk e shohin si zgjidhje punësimin përmes zyrave të punës.
Eksperti i punësimit dhe karrierës profesor Erion Muça deklaron se rreth 60% e individëve të papunë në Republikën e Shqipërisë nuk regjistrohen në zyrat e punës. Ai sqaron për Ditar.al se rreth 79% e punësimit në Shqipëri realizohet në mënyrë informale. Ai shpjegon edhe arsyet pse të papunët nuk besojnë tek institucionet shtetërore të punësimit.
“Janë 60% e të papunëve që nuk regjistrohen tek zyrat e punës pasi nuk e kanë si informacion që duhet ta bejne si procedure dhe se nuk besojnë se përmes Zyrave të Punës do të mund ta gjejnë një punë. Rreth 79% e punësimit në Shqipëri realizohet në menyra informale dhe kjo gjë bën që besimi në institucionet formale të ndërmjetesimit për punë të jetë i ulët e ku njerëzit preferojnë më së shumti ta gjejnë punën përmes netëorkut dhe rekomandimeve apo përmes kërkimit të drejtpërdrejtë,” thekson Muça.
Ndërsa drejtuesit e kompanive të biznesit në Shqipëri ankohen për mungesë të krahut të punës. Prej këndej lindi edhe sllogani i kryeministrit që u bë mjaft popullor “Punë ka por nuk ka profesionistë”.
Por çfarë profesionistësh kërkojnë kompanitë shqiptare dhe cilat janë kushtet që ata ofrojnë. Një i ri i sapo diplomuar, kërkon të nisë karrierën në profesion. Muret me të cilat ndeshet që në fillim bëhen krejt të pakapërcyeshme për shkak të shprehjes rutinë: “nuk ke përvojë” . Por akush nuk i jep mundësinë të nis ta krijojë përvojën. Kështu, një i ri i diplomuar në shkencat shoqërore mbetet i papunë dhe zgjidhja e vetme është punësimi në call center.
Kompanitë e bizneseve në fushën e fasonërisë ofrojnë paga minimale dhe kushte pune sfilitëse. Gjithashtu në ndërtim është thuajse e njëjta problematikë. Paga e ulët dhe kushtet mjaft të vështira. Në rastin e bizneseve sezonale siç janë ato të turizmit, pagat mund të jenë më dinjitoze por ato nuk garantojnë vazhdimësi. Një kompani që kërkon të punësojë të rinj si kamarierë guzhinjer etj.. ofron punë për vetëm 3 apo katër muaj me paga të kënaqshme por më pas ky i ri mbetet pa punë. Kështu, të rinjtë nuk e shohin më si opsion punësimin në Shqipëri dhe e shohin të ardhmen e tyre në emigracion.
Për ekspertin Erion Muça, arsyet e mungesës së koordinimit ndërmjet punëdhënësve dhe punëmarrësve lidhen më së shumti me nivelin e ulët të pagave dhe qasjes që kanë bizneset shqiptare lidhur trajtimin dinjitoz të punonjësve.
“Papunësia në Shqipëri ka ardhur në radhë të parë nga mungesa e përputhshmërisë mes kërkesës dhe ofertës për punë lidhur me fushat, profilet dhe nivelet e arsimit dhe formimit. Së fundmi vështirësia e sipërmarrjeve për të gjetur punonjës po vjen si rrjedhojë e mospreferences së punonjësve vendas për hapësirat dhe mundësitë e ofruara si rrjedhojë e pagave të ulëta, mungeses së modernizimit dhe standartizimit te proceseve nga ana e shume kompanive lidhur me motivimin e punonjësve, por dhe zhvillimit dhe ndryshimit të mentalitet dhe qasjes se tyre lidhur me trajtimin dinjitoz të punonjësve. Bizneset në vend të ankeses se skanë punonjës dhe promovimit të nr të lartë të hapesirave qe kane duhet të promovojnë permiresimet qe po bejne dhe procesin e modernizimit që po pësojnë që të mund të kthehen në atraktive per punonjësit”, tha Muça.
Duke u përqëndruar tek problematika e punësimit të të rinjve, Muça shpjegon se pritshmëritë e të rinjve nuk përputhen me mundësitë që ofrojnë kompanitë shqiptare. Kështu, të rinjtë vendosin të qëndrojnë pa punë ose të nisen drejt emigracionit. Padyshim paga e ulët dhe çfarë e bën më problematike situatën është mungesa e meritokracisë.
“Papunësia tek të rinjtë është fenomen shqetësues. Arsyet e papunësisë lidhen shumë me mundësitë dhe hapësirat për punë në Shqipëri që do kultivonin pritshmëritë e tyre. Shumë të rinj preferojnë të qëndrojnë të papunë të dekurajuar, emigrojnë apo punojnë në të zezë dhe paligjshmëri sesa të punojnë me paga shumë të ulëta dhe kushte skandaloze. Niveli i pagave në start në Shqipëri nuk është stimulues por demotivues duke mos aktivizuar të rinjtë të punojnë por duke i bërë ata të jenë gjithmonë në kërkim të një pune. Një tjetër aspekt lidhet me mundësitë e kufizuara për punë në Shqipëri për disa profile dhe fusha specifike formimi dhe arsimi.Nje tjetër arsye lidhet me zhgenjimin e tyre nga mungesa e meritokracisë dhe drejtesise në tregun e punes duke i shtyre te rinjtë per te qene pesimiste. Mungesa e këshillimit të duhur në karrierë apo orientimi i cunguar që merret per në tregun e punës shton konfuzionin dhe ul shanset për punë të të rinjve”, thekson eksperti i punësimit dhe karrierës Erion Muça.
Veç shifrave të papunësisë, një kategori i rëndësishme e personave që konsiderohen të punësuar, është mjaft problematike në raport me varfërinë. Sipas INSTAT, në vitin 2021 mbi 12.6% e personave të punësuar janë në rrezik për t’u përfshirë në varfëri.
Erion muça, studiues i punësimit, kerkues shkencor dhe pedagog