Rusia ka kryer sulmin më të madh me dronë dhe raketa ndaj Ukrainës gjatë muajit të fundit, duke vrarë të paktën tre persona, bëri të ditur Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.
Sipas Zelensky, gjatë natës të së premtes dhe në orët e para të së shtunës, Moska lëshoi rreth 36 raketa dhe pothuajse 600 dronë drejt territorit ukrainas. Si pasojë e goditjeve, pjesë të mëdha të kryeqytetit Kiev mbetën pa energji elektrike.
“Objektivat kryesore të sulmit ishin infrastruktura energjetike dhe objektet civile, duke shkaktuar dëme të mëdha dhe zjarre në ndërtesa banimi. Deri më tani raportohen dhjetëra të plagosur dhe tre të vrarë,” tha Zelensky.
Edhe ministri i Jashtëm ukrainas, Andrii Sybiha, e përshkroi natën si “shumë të vështirë… veçanërisht në Kiev”, duke theksuar se goditjet prekën banesat e qytetarëve dhe rrjetin energjetik të vendit.
Autoritetet lokale raportuan se në kryeqytet u vranë dy persona, mes tyre një burrë 42-vjeçar, ndërsa 15 të tjerë u plagosën, përfshirë një fëmijë.
Ndërkohë, Polonia aktivizoi avionët luftarakë dhe sistemet e mbrojtjes ajrore si masë parandaluese gjatë sulmeve ruse, njoftuan forcat e armatosura polake.