Gjykata e Tiranës la në qeli pa afat Marsel Varka, Elsaed Maqinaj, Fabian Zako dhe Kristaq Biba, pjesë e një grupi kriminal që shiste armë zjarri, lëndë plasëse dhe municione në Tiranë.
Ndërkohë në kërkim janë shpallur edhe bashkëpunëtorët e tyre, Kevin Vila dhe Bledar Avdillari. Vila dyshohet se është drejtuesi i grupit kriminal.
Gjatë operacionit të zhvilluar nga policia janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 4 pistoleta dhe 3 kallashnikovë, me vlerë 1 mijë e 500 deri në 2 mijë e 500 euro, si dhe municione, celularë dhe sende të tjera me vlerë për hetimin.
Armët janë dërguar në laboratorin e Policisë Shkencore për t’iu nënshtruar ekzaminimit nëse janë apo jo funksionale dhe nëse janë përdorur në ngjarje kriminale.
Policia thotë se gjatë gjithë periudhës hetimore të veprimtarisë kriminale të grupit, në total u arrestuan 9 persona, si dhe u sekuestruan 17 armë, 4 kallëpe tritol, sasi e madhe municioni, 4 automjete dhe 13 celularë.