Taulant Balla është deputet i Parlamentit të Shqipërisë prej vitit 2005, por deri në datën 10 Korrik 2023, nuk kishte provuar kurrë të ulej në karrigen e një ministrie, pavarësisht se ka qenë një nga figurat më të spikatura politike të Partisë Socialiste, por edhe një nga njerëzit më të afërt të Edi Ramës.
Në Çdo Kongres që ka mbajtur Partia Socialiste me Ramën si kryeministër, në të cilët njoftoheshin edhe ndryshimet në qeveri, Taulant Balla ka qenë gjithmonë në pritje që emri i tij të përmendej si ministër i kabinetit, por kurrë nuk ndodhi. Ministrat e Ramës kanë qenë të shumtë, por një nga socialistët më të votuar në Shqipëri nuk ia doli kurrë të merrte një post ministri aq shumë të dëshiruar.
Prej vitit 2017 Taulant Balla mbante edhe postin e Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Socialiste dhe kryetar i Grupit Parlamentar, duke e bërë atë një nga personat më me influencë në parti. Por gjithçka do të ndryshonte në 2 Shtator 2021. Edhe pse një nga deputetët më të votuar në vend, kryeministri Edi Rama zgjodhi që ta zëvendësonte Ballën me Damian Gjiknurin në postin e Sekretarit të Përgjithshëm të PS-së. Gjithashtu, Balla u largua si drejtues politik nga Elbasani, qarku që e kishte përfaqësuar gjithë karrierën e tij politike, për t’u zëvndësuar sërish nga Gjiknuri. Një ndryshim i papritur jo vetëm për Ballën, por për të gjithë socialistët.
Kjo lëvizje e Ramës ishte si një “rrufe në qiell të hapur” për Ballën, pasi kryeministri e kishte zëvendësuar atë me “armikun” e tij brenda partisë. Në Partinë Socialiste të gjithë e dinë mirë, madje akoma më mirë Edi Rama, se Taulant Ballën dhe Damian Gjiknurin i bashkon vetëm logo e partisë dhe interesat brenda PS-së, pasi mes tyre ka kohë që ka filluar një “luftë e ftohtë”.
Me emërimin si Sekretar i Përgjithshëm, Gjiknuri arriti të fitojë edhe betejën e parë me Ballën, duke marrë në dorë “frenat” e partisë, por që nuk arriti kurrë të ishte po aq protagonist sa Balla. Së bashku me Arben Ahmetajn në rolin e zv.kryeministrit dhe Ministrit të Financave, Gjiknuri u akuzua si një nga firmëtarët e aferës së inceneratorëve, një aferë që ka lënë njollë të madhe në qeverisjen e Ramës.
Kjo aferë duket se ndryshoi edhe mendimin e Ramës për besnikët e tij brenda Partisë Socialiste. Duke parë që disa prej njerëzve që i kishin ndejtur më afër tashmë ishin arrestuar apo larguar nga politika (Saimir Tahiri, Lefter Koka, Vangjush Dako, Gramoz Ruçi etj), kryeministri vendosi të kthejë edhe njëherë kokën nga ata që nuk e kishin tradhtuar kurrë.
Ngjarja e Krujës ku anëtarë të fisit të ish-deputetit Rrahman Rraja rrahën në mënyrë barbare dy persona të tjerë, të mbështetur edhe nga indiferenca e policisë, ishte skandali i radhës në qeverinë Rama. Ky i fundit, për të qetësuar opinionin publik, vendosi të bënte “kokë turku” ministrin e Brendshëm Bledi Çuçi.
Si gjithmonë, Rama kërkon që ministrat e kabinetit të jenë kurdoherë nën urdhrat e tij dhe t’i binden plotësisht, ndaj edhe për këtë ministri duhej gjetur njeriu i duhur. Por cilët ishin të besuarit e Ramës?
Shkarkimi i Arben Ahmetaj dhe vendosja e tij para drejtësisë, sipas “gojëve të liga”, është bërë për shkak se ish-ministri ka qenë ai që ka dorëzuar dokumentet e inceneratorëve te Ilir Meta. Pra, Arben Ahmetaj “u dogj” për të qenë sërish pranë Ramës. Gjiknuri ishte një ministër i sprovuar por që e mbushi PS-në me skandale, ndërkohë që të tjerët nuk bindnin për të qenë në atë post.
Radha i erdhi pikërisht Taulant Ballës, që pas më shumë se 10 vitesh në pushtet me PS-në, të bëhet ministër i një prej ministrive më të rëndësishme në vend. Por a do ta justifikojë Balla besimin e Ramës?
Taulant Balla është një politikan i vjetër, por karriera e tij ka qenë e mbushur me akuza të shumta nga ana e opozitës. Ndaj tij janë hedhur akuza të shumta nga opozita, si i lidhur me bandat dhe krimin e organizuar, por që deri më tani, pavarësisht edhe ndonjë fakti të nxjerrë nga opozita, Balla ia ka hedhur pa u “lagur”.
Tashmë, Balla ka detyrë të luftojë bandat dhe krimin e organizuar, por sesa do të arrijë, kjo do të varet nga vullneti i tij, nëse është vendosur aty për të vendosur rendin në Shqipëri, apo do të jetë ministri i radhës që do të shkarkohet pas ndonjë skandali. Tani që Rama e afroi edhe më shumë në gjirin e tij, me siguri që Balla do t’i qëndrojë edhe më besnik, por a do të jetë kjo besnikëri edhe në të mirë të Shqipërisë? Koha do ta tregojë, nëse Balla do të jetë besniku i fundit i Edi Ramës, pasi të tjerët u rrëzuan në rrugën drejt lavdisë politike.