Tatimet do të hetojnë të gjithë qytetarët që kanë makina luksoze

Administrata Tatimore dhe Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor kanë nisur një projekt, i cili do të hetojë të gjithë qytetarët që kanë në përdorim makina luksoze.

Ky projekt është publikuar në Programin e Reformave Ekonomike 2024-2026, ku thuhet se çdo qytetar do të hetohet nëse të ardhurat që ka deklaruar e justifikojnë automjetin luksoz që përdor.

“DPT-ja po ndërmerr një projekt pilot me DPSHTRR të Shqipërisë për të krahasuar individët që zotërojnë makina luksoze me deklarimin e tyre të të ardhurave personale, (DIVA) si fazë e parë e këtij projekti dhe në të ardhmen për të zgjeruar shkëmbimin e informacionit lidhur me asetet e tjera të tatimpaguesit,” thuhet në dokument.

Sipas këtij dokumenti, pjesë e hetimit do të jenë edhe invidët që janë subjekt sanksionesh në përputhje me marrëveshjet që Shqipëria ka me organizatat ndërkombëtare.