Tajfuni Kalmaegi ka goditur Vietnamin qendror mbrëmjen e së enjtes, duke dëmtuar qindra shtëpi dhe rrëzuar pemë, pasi më parë kishte lënë pas vetes qindra viktima dhe dëme të mëdha në Filipine.
Kalmaegi, një nga tajfunët më të fuqishëm që ka prekur ndonjëherë Vietnamin, solli reshje të dendura dhe erëra shkatërrimtare në rajone që tashmë ishin të përmbytura nga shirat rekord të ditëve të fundit.
Në Filipine, stuhia shkaktoi rreth 200 viktima, kryesisht në provincën turistike të Cebus, ndërsa dhjetëra mijëra persona u detyruan të largohen nga shtëpitë e tyre. Lagje të tëra u shkatërruan, ndërsa ujërat e përmbytjeve kanë lënë pas rrënoja dhe baltë.
Në Vietnam, dëmet janë përqendruar në zonat bregdetare të provincave qendrore, ku janë raportuar shtëpi të shembura, çati të rrënuara, pemë të rrëzuara dhe më shumë se një milion persona pa energji elektrike. Të paktën pesë persona kanë humbur jetën dhe disa të tjerë rezultojnë të zhdukur.
Autoritetet kanë evakuuar mbi gjysmë milioni banorë për shkak të rrezikut të përmbytjeve dhe rrëshqitjeve të dheut, ndërsa reshjet kanë arritur nivele rekord në disa zona, me më shumë se 350 milimetra shi në vetëm gjashtë orë.
Goditja e Kalmaegit vjen ndërsa vendi ende po përpiqet të rikuperohet nga përmbytjet e javës së kaluar, që kishin përfshirë qytetet historike Hoi An dhe Hue.
Sipas parashikimeve, tajfuni pritet të dobësohet ndërsa lëviz drejt Kamboxhias, Laosit dhe Tajlandës Lindore, por reshjet e dendura dhe erërat e forta mbeten kërcënim për Vietnamin qendror gjatë fundjavës.