Tabaku u drejtohet me një video shqiptarëve: Ja për kë është në të vërtetë buxheti i 2024

Deputetja e PD Jorida Tanaku vijon të këmbëngulë se buxheti i vitit 2024 nuk është për shqiptarët. Kësaj here ajo I është drejtuar publikut me një video ku shpkjegon se miliarda euro taksa të shqiptarëve shkojnë për koncensionet dhe PPP-të, gjysma e të cilave janë nën hetim nga SPAK.

Qeveria, sipas Tabakut, u fsheh shqiptarëve se si i menaxhon taksat e tyre që i rrit çdo vit.

“Qeveria socialiste prej dhjetë vitesh u ka marrë më shumë taksa duke i shpërndarë abuzivisht një grushti të vogël oligarkësh që më tej i bekon  me favore të tjera”, thotë deputetja.

Fjala e plotë e tabakut:

Në buxhetin 2024 nuk është për arsimin, shëndetësinë, infrastrukturën apo dhe për projekte të tjera më të dobishme. Ku shkojnë miliarda euro  taksa të shqiptarëve? Për kë është realisht buxheti 2024 me vlerë 7 mld euro?

Përgjigjen e gjeni tek tabela e Koncesioneve/PPP-ve që vazhdon të marrë gjithnjë e më shumë miliarda nga taksa e shqiptarëve.

Qeveria socialiste ka vendosur që t’u japë 145 mln euro më shumë PPP-ve dhe koncesioneve ku gjysma e tyre janë nën hetim nga SPAK.

Jo vetëm kaq por mazhoranca socialiste i dha lejen qeverisë socialiste që të paguajë më shumë dhe shtrenjtë PPP-të edhe pse prej mbi dy  vjetësh Ministria e Financave dhe Ekonomisë nuk ka botuar një raport të situatës së PPP-ve dhe raportin e tyre me kontratën.

Ky raport që mungon është dëshmi se si qeveria socialiste u fsheh shqiptarëve se si i manaxhon taksat e tyre që i rrit përvit.

Në dhjetë vite ajo ka operuar si një ndërmjetës për t’i ofruar një grushti të vogël 50% të PBB-së në kontrata PPP/Koncesione kurse shqiptarëve 3 mld euro taksa më shumë.

Qeveria socialiste prej dhjetë vitesh u ka marrë më shumë taksa duke i shpërndarë abuzivisht një grushti të vogël oligarkësh që më tej i bekon  me favore të tjera.

Ky sistem i ngritur në institucion mbrohet përherë me fasadën e një propagande të inxhinieruar mirë dhe të veshur me cinizmin e një qeverie që di çmimin gjithçkaje dhe vlerën e asgjëje.

Buxheti 2024 është buxheti i një qeverie socialiste që nuk ka menduar kurrë për tryezën tuaj. Sidomos sot! Në një kohë ku ekonomia shqiptare pritet të goditet nga inflacioni më shumë dhe shqiptarët të ndjejnë edhe  më shumë keqqeverisjen socialiste që i ka varfëruar progresivisht.