Rithemelimi do të organizojë të premten një protestë para bashkisë së Tiranës kundër kryebashkiakut Veliaj, të cilin e akuzon si kokën e aferës së dosjes 5 D, ku 5 drejtorë të tij përfunduan në pranga për abuzime në tendera.
Protestës do t’i bashkohet edhe Partia e Lirisë.
Në një njoftim të bërë, Rithemelimi fton të gjithë mbështetësit të bëhen pjesë e protestës të premten në orën 11:00 te Bashkia, “për ta hedhur në Lanë”, kryebashkiakun Veliaj.
“Të dashur miq demokratë: Beteja jonë kundër Erion Veliajt ka arritur në një pikë kyçe. Së bashku jemi përballur me të në fushatë dhe tani i kemi çjerrë maskën. Demokratët e kuptojnë tani se si e mori ai Tiranën: me milionat e 5D. Të bëhemi bashkë, të premten ora 11:00, te Bashkia, për ta hedhur në Lanë.✌️✌️✌️”, thuhet në njoftim.
Të gjitha figurat kryesore të opozitës kanë publikuar në rrjetet sociale thirrjen për protestë para Bashkisë së Tiranës. Slogani i protestës është “Mjaft” duke përdorur të njëjtin emër që ka pasur lëvizja e krijuar nga Erion Veliaj 20 vite më parë në fillimet e karrierës politike.