“Superleku”/ Zhvlerësimi i Euro-s nuk ndalet, shënon minimumin e ulët historik

Kursi i këmbimit euro-lek ka pësuar sërish një rënie të fortë ditën e sotme duke prekur një minimum të ri historik.

Monedha europiane ra sot në treg me 0.7 lekë duke shkuar kështu në 104.9 lekë, rekord historik. Ekspertët e ekonomisë parashikojnë që të ketë edhe më shumë ulje për shkak të sezonit turistik. Ndërkohë Banka e Shqipërisë nuk ka ndërmend të ndërhyë pasi siç tha guvernatori Gent Sejko disa javë më parë,  kursi i këmbimit përcaktohet nga tregu.

 “BSH ka sqaruar se Kursi i Këmbimit ka qenë në epërsi prej disa vitesh, duke u mbiçmuar. Forcimi është më i fortë sepse vjen si pasojë e disa faktorëve. Të dhënat e bilancit të pagesave tregojnë rritje të konsiderueshme të investimeve të huaja, të të ardhurave nga turizmi, rritje të eksporteve në total.

Gjithashtu edhe remitancat kanë ardhur në rritje. Kjo ka bërë që oferta e euros në vend të jetë e konsiderueshme.  Nuk kemi arsye për të ndërhyrë por duhet bashkëpunuar me eksportuesit dhe ato industri që preken nga ndryshimi i kursit të këmbimit” tha guvernatori Sejko.

Dhe ndërkohë që institucionet nuk reagojnë, ata që e pësojnë më shumë janë qytetarët e thjeshtë dhe fermerët apo kompanitë shqiptare që eksportojnë jashtë. Qytetarët sepse marrin remitanca (dërgesa parash) nga familjarët e tyre emigrantë dhe kompanitë që eksportojnë sepse mallrat e tyre vlerësohen më pak.

Përfituesit janë importuesit e mëdhenj të cilët paguajnë më pak për produktet e blera jashtë, ndonëse nuk vihet re asnjë ulje çmimi në produkte apo shërbime.

Edhe qeveria shqiptare përfiton, pasi ulet borxhi i jashtëm.