Elton Qyno
Sulmi mafias që solli vrasjen e 29-vjeçarit Ramazan Sino dhe plagosjen e dy fëmijëve të mitur të Gentjan Bejtjas, nuk do hetohet nga sektori i vrasjeve në prokurorinë e Tiranës.
Hetimi për këtë çështje, që prej ditës së djeshme i është transferuar seksionit të të miturve në prokurori, ku prokurore e çështjes është ngarkuar të jetë Elona Alvora.
Kjo e fundit ka vetëm pak ditë që ka mbëritur në Tiranë nga prokuroria e Vlorës. Ndërsa tashmë do drejtojë hetimet për zbardhjen e ngjarjes së rëndë të vrasjes së Ramazan Sino dhe dy plagosjen e dy fëmijëve të mitur.
Aktualisht hetimet për atentatin që i mori jetën Ramazan Sino, kunatit të Gentjan Bejtja, janë stopuar në marjen e deklarimit të Bejtjas.
Ky i fundit është shpallur në kërkim policor, për shkak se ende nuk është gjendur nga policia me qëllim marjen e një deklarate për ngjarjen.
Ndërsa nga kqyrja e pamjeve filmike të sekuestruara në banesën e Bejtjas, dallohet qartazi dinamika e realizimit të sulmit mbi makinën ku udhëtonin tre të dëmtuarit.
Por për shkak të errësirës së natës, dallohen vetëm hijet e errëta të tre autorëve të krimit, duke bërë të pamundur identifikimin e tyre nga policia.
Sulmi me armë ndaj familjes së Gentjan Bejtjas në Larushk të Fushë-Krujës, është një hakmarje e kërkuar në mënyrë të pandërprerë, ndaj njeriut që tashmë është shpallur në kërkim policor.
Gentjan Bejtja, i ka shpëtuar vdekjes për të tretën herë, pasi ishte larguar nga makina disa minuta më parë. Autorët i vranë kunatin dhe i plagosën dy djemtë e tij.
Sipas anëtarëve të grupit të hetimit, duket se vrasësit pas kryerjes së krimit, kanë shfaqur entuziazëm, gëzim dhe euforizëm.
Pasi në ikje e sipër njëri prej tyre ka qëlluar një breshëri kallashnikovi në ajër dhe të gjithë së bashku kanë hipur në makinë duke u larguar në drejtim të Tapizës.
Ky është një veprim, thonë anëtarët e grupit hetimor që tregon se vrasësit pas kryerjes së krimit, janë ndjerë të gëzuar pasi kanë vënë nderin në vend, duke u hakmarë.
Sulmi me armë është ndaj familjes së Gentjan Bejtjas është realizuar pikërisht 12 ditë para se të shënohet 1 vjetori i ekzekutimit në 17 korrik, të Briland Martinaj, Besmir Hoxha dhe Diklen Vata.
Policia dhe prokuroria e Tiranës, besojnë se sulmi me armë ndaj Bejtjas lidhet me përplasjet e fazhdueshme për këtë ngjarje.