Sulmi izraelit vret 7 punonjës humanitarë të huaj në Gaza, Netanyahu e pranon: Po, por s’ishte e qëllimshme

Në një deklaratë pasi u largua nga spitali pas një operacioni për hernie, kryeministri Benjamin Netanyahu pranon se sulmi i Izraelit vrau 7 punonjësit e ndihmës në Gaza, por sipas tij, ishte diçka e paqëllimshme.

Duke folur në hebraisht në një video-mesazh, ai tha: “Për fat të keq, në 24 orët e fundit pati një rast tragjik të forcave tona, që goditën pa dashje njerëz të pafajshëm në Rripin e Gazës. Këto ndodhin në luftë, por ne do e kontrollojmë situatën deri në fund, jemi në kontakt me qeveritë dhe do të bëjmë gjithçka që kjo gjë të mos ndodhë më”, tha Netanyahu.

Nga sulmi izraelit në Gaza, shtatë persona që punonin për bamirësi në ‘World Central Kitchen’ dhe shpërndanin ndihma ushqimore, u vranë.

Ky veprim i forcave izraelite u dënua nga disa shtete. Punonjësit po shpërndanin ushqime pasi qindra mijëra palestinezë po përballen me urinë shkaktuar nga ofensiva e Izraelit kundër grupit militant Hamas.

Në mesin e punonjësve të ndihmave të vrarë nga sulmi i dyshuar izraelit janë tre shtetas britanikë, një australian, një polak, dhe një punonjës me dy shtetësi amerikane dhe kanadeze, si dhe shoferi i tyre palestinez, sipas të dhënave të spitalit.

Të gjithë të vrarët ishin punonjës të organizatës bamirëse ‘World Central Kitchen’ dhe sipas zyrtarëve të saj, në momentin e sulmit ishin duke shpërndarë ushqimet që u futën në Gazë përmes detit. Ata kishin veshur rroba me shenjën e organizatës.