Sulmi i Izraelit ndaj Libanit, Irani mbyll sërish Ngushticën e Hormuzit

Tranziti i anijeve cisternë të naftës përmes Ngushticës së Hormuzit është pezulluar pas sulmeve izraelite në Liban, raporton agjencia iraniane Fars, e lidhur me Forcat e Gardës Revolucionare.

Lejimi i kalimit të cisternave nëpër këtë ngushticë është kyç për armëpushimin mes Iranit dhe SHBA-ve.

Teksa dy cisterna nafte arritën të kalonin përmes ngushticës mëngjesin e kësaj të mërkure me leje nga Irani, kalimi i tyre tashmë është ndalur.

Edhe Agjencia e Lajmeve e Republikës Islamike raporton se anijet janë ndaluar, me të dyja mediat që i referohen sulmeve të vazhdueshme të Izraelit ndaj Libanit.

Situata është tejet e tensionuar pasi marrëveshja e ndërmjetësuar nga Pakistani dështoi brenda ditës, duke bërë që Irani të rimbyllë menjëherë Ngushticën e Hormuzit si kundërpërgjigje ndaj sulmeve të fundit të Izraelit në Liban.

Ndërkohë, Presidenti Donald Trump ka rënë dakord të zgjasë afatin për ultimatumin e tij ndaj Iranit me dy javë.

Tashmë, fati i diplomacisë globale mbetet i varur nga takimi i së premtes, ndërkohë që bota përballet me rrezikun e një krize të re energjetike dhe një përshkallëzimi të madh ushtarak.