Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë ka shprehur ngushëllimet për dy masakrat e ndodhura në SHBA dhe Mal të Zi. Në reagimin e saj, MEPJ-ja thekson se Shqipëria shpreh solidaritetin me kombet mike, në këto akte të pakuptimta me humbje jetësh.
“Zemërthyer për tragjeditë me humbje jetësh në Mal të Zi afër Cetinjes dhe në SHBA, në New Orleans. Ngushëllimet tona më të thella shkojnë për miqtë malazezë dhe amerikanë dhe për familjet e të gjitha viktimave.
Shërim të shpejtë të gjithë të lënduarve dhe shprehim solidaritetin tonë me komunitetet e prekura nga këto akte të pakuptimta dhune, duke shpresuar për qëndrueshmëri dhe unitet përballë një dhimbjeje të tillë”, theksoi ministria.
Një shofer ka bërë masakër në Nju Orlinsit në orët e para të ditës së Vitit të Ri në SHBA, duke vrarë të paktën 15 persona. Ai hyri me makinë përmes turmës, përpara se të qëllohej për vdekje nga policia, thanë autoritetet.
Në Cetinje të Malit të Zi, një person i armatosur vrau 12 njerëz të mërkurën, ndërsa në fund kreu vetëvrasje. Autoritetet atje shpallën tre ditë zie kombëtare në nderim të viktimave.
Sakaq, pas tragjedisë, kryeministri i Malit të Zi ka njoftuar mbledhjen e këshillit të Sigurisë Kombëtare.