Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka reaguar pas sulmeve të kryeministrit Edi Rama ndaj prokurorëve dhe gjykatësve.
Në një deklaratë për mediat nga salla e Kuvendit, Shehaj tha se prokurorët dhe gjykatësit po përballen me kërcënime për jetën, ndaj i dënon me forcë këto sulme.
Sipas Shehajt, nëpërmjet gjuhës linçuese, Rama po kërkon të mbajë peng Gjykatën Kushtetuese, e cila është mbledhur prej javësh dhe po shtyn vazhdimisht vendimin historik në lidhje me kërkesën e SPAK-ut për pezullimin e zv.kryeministres Balluku e cila akuzohet se ka abuzuar me paratë e buxhetit të shtetit.
Kreu i “Mundësisë” i bëri thirrje ambasadorëve të huaj në vendin tonë që të vazhdojnë të mbështesin drejtësinë dhe të bëjnë thirrje për ndalje të menjëhershme të sulmeve ndaj drejtësisë, ndaj prokurorëve dhe ndaj gjykatësve që po luftojnë korrupsionin.
Deklarata e plotë e Shehajt:
Jam këtu për të dënuar me forcë sulmet e përditshme të kryeministrit Edi Rama ndaj drejtësisë dhe SPAK-ut.
Prokurorët dhe gjykatësit po përballen me kërcënime për jetën. Prokurorëve dhe gjykatësve po iu rrezikohet jeta.
Në këto kushte Edi Rama vazhdon denigrimin ndaj tyre.
Dënojmë gjuhën e tij linçuese, intimiduese dhe kërcënuese ndaj drejtësisë ndërkohë që Gjykata Kushtetuese është mbledhur prej javësh dhe po shtyn vazhdimisht vendimin historik në lidhje me kërkesën e SPAK-ut për pezullimin e zv.kryeministres Balluku e cila akuzohet se ka abuzuar me paratë e buxhetit të shtetit.
Edi Rama po kërkon të mbajë peng Gjykatën Kushtetuese dhe rrjedhimisht vendimin që do të ndajë njëherë e mirë të shkuarën e pandëshkueshmërisë nga e ardhmja, ku të korruptuarit dalin para drejtësisë.
Sulmet po kryhen nga vetë Edi Rama, nga analistët dhe gazetarët pranë tij, nga ministra dhe deputetët e mazhorancës dhe nga krimi i organizuar.
Shpifjet e vazhdueshme në lidhje me akuzën e pavërtetë që prokuroria dhe gjykata arreston njerëz pa gjyq janë një kërcënim i hapur dhe direkt ndaj përpjekjeve të prokurorëve për të çuar para drejtësisë zyrtarët e lartë.
Prokurorët përballen çdo ditë me kërcënime për jetën. Prokurorëve po iu rrezikohet jeta. Ndaj i bëjmë thirrje:
Ambasadorëve të vendeve perëndimore në Shqipëri; Të Ngarkuarës me Punë të SHBA-së, Ambasadorit të delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, Ambasadorit gjerman, Ambasadorit britanik, Ambasadori italian, Ambasadorit holandez dhe çdo përfaqësie diplomatike perëndimore në Shqipëri, të vazhdojnë të mbështesin drejtësinë dhe të bëjnë thirrje për ndalje të mënjëhershme të sulmeve ndaj drejtësisë, ndaj prokurorëve dhe ndaj gjykatësve që po luftojnë korrupsionin.
Shqiptarët mbështesin drejtësinë. Duan fundin e pandëshkueshmërisë në Shqipëri.
Nga mbështetja e luftës kundër korrupsionit varet e ardhmja e Shqipërisë. Ju bëj thirrje të mos heshtni.
I bëj thirrje gjithashtu qytetarëve shqiptarë të dalin haptas në mbrojtje të drejtësisë, në mbrojtje të luftës kundër korrupsionit.
Sic e dini, Partia Mundësia ka filluar një fushatë në mbrojtje të drejtësisë dhe luftës kundër korrupsionit.
Deri sot kemi mbledhur pothuajse 50 mijë firma. Qëllimi ynë është të mbledhim 100 mijë firma dhe këto do të dorëzohen në Kongresin Amerikan, në Parlametin Europian dhe në parlamentet e vendeve partnere.
Ju ftoj të firmosni deklaratën tonë në mbrojtje të drejtësisë.