Sulm terrorist në Ankara, raportohet për disa viktima

Një shpërthim i fuqishëm dhe të shtëna me armë u dëgjuan nga objekti kryesor i Industrisë Hapësinore Turke (TAI) në Ankara të mërkurën pasdite, në atë që zyrtarët e cilësuan sulm terrorist. Mediat turke bëjnë me dije se mund të ketë qenë një sulmues vetëvrasës, sipas Daily Sabah.

Ministri i Brendshëm Ali Yerlikaya konfirmoi se shpërthimi i dëgjuar jashtë ambienteve ishte një sulm terrorist, por nuk specifikoi detaje të mëtejshme dhe tha se do të pasonin deklarata shtesë. Megjithatë shtoi se ka edhe viktima si pasojë e këtij sulmi.

Forcat e sigurisë, ambulancat dhe zjarrfikësit u dërguan në kampusin TAI, i cili punëson mbi 15,000 njerëz.

Punonjësit e kompanisë, të vendosura në periferi të Ankarasë, u dërguan në një zonë të sigurt, bëjnë me dije mediat turke.