Sulm me thikë në qendër të Amsterdamit, 5 të plagosur

Të paktën pesë persona u plagosën në një sulm me thikë që ndodhi pranë Sheshit Dam, në qendër të Amsterdamit ndërsa autori i dyshuar u arrestua pak pas ngjarjes.

Policia e Amsterdamit sipas De Telegraaf, konfirmoi arrestimin e personit që plagosi 5 qytetarë, por nuk dihen ende shkaqet e sulmit.

Në rrjetet sociale janë publikuar video të momentit kur një helikopter mbërrin në vendngjarje për të marrë të plagosurit. 

Shërbimet e tramvajit midis Amsterdam Centraal dhe Sheshit Dam u pezulluan, tha kompania e transportit publik GVB të Amsterdamit.

E gjithë zona u mbyll nga efektivët të cilët nuk dhanë asnjë informacion të mëtejshëm. Nuk dihet nëse të lënduarit janë në gjendje të rëndë apo kanë lëndime të lehta.

Sipas mediave lokale, policia u ka kërkuar të gjithë personave që kanë regjistruar pamjet e ngjarjes që t’ua kalojnë videot hetuesve si provë.