Sulm me bombë, vritet gjenerali i Shtabit të Përgjithshëm në Moskë

Një gjeneral rus është vrarë nga një shpërthim i vendosur në makinë në Moskë, kanë njoftuar autoritetet. Komiteti Hetimor i Rusisë bëri të ditur se gjeneral-lejtnant Fanil Sarvarov humbi jetën të hënën në mëngjes, pasi një bombë shpërtheu në makinën që drejtohej nga ai.

Sarvarov, 56 vjeç, ishte drejtues i departamentit të stërvitjes operacionale të forcave të armatosura ruse. Ai ndërroi jetë në spital si pasojë e plagëve të marra, ndërsa autoritetet kanë hapur hetime për vrasje dhe trafikim të paligjshëm të lëndëve shpërthyese. Një nga pistat që po hetohet është përfshirja e shërbimeve të inteligjencës ukrainase, megjithëse Ukraina nuk ka reaguar.

Ngjarja ndodhi në një parkim pranë një pallati banimi në jug të kryeqytetit rus. Pamjet nga vendngjarja tregojnë një makinë të bardhë rëndë të dëmtuar, me dyert e shpërthyera. Sipas mediave ruse, Sarvarov kishte marrë pjesë më parë në operacione ushtarake gjatë konflikteve në Kaukaz dhe në luftërat çeçene, si dhe kishte drejtuar operacione në Siri në vitet 2015–2016.

Kremlini konfirmoi se presidenti Vladimir Putin është informuar menjëherë për vdekjen e tij. Që nga nisja e pushtimit të plotë të Ukrainës në shkurt 2022, disa zyrtarë ushtarakë dhe figura të njohura janë shënjestruar në Moskë. Ukraina, si politikë zyrtare, nuk pranon dhe nuk konfirmon përgjegjësinë për sulme të tilla të synuara.