Një ish-nxënës ka hapur zjarr në një shkollë të mesme në juglindje të Turqisë, duke plagosur të paktën 16 persona përpara se të vriste veten.
18-vjeçari i armatosur me një armë gjahu, qëlloi në mënyrë të rastësishme brenda një shkolle profesionale në Siverek, në provincën Sanliurfa, dhe më pas u fsheh në ambientet e saj. Ai më vonë i dha fund jetës duke përdorur të njëjtën armë, bëri të ditur guvernatori Hasan Sildak.
Sipas autoriteteve, nga sulmi mbetën të plagosur 10 nxënës, katër mësues, një punonjës i mensës dhe një efektiv policie. Shumica e të lënduarve po trajtohen në spitalin e Siverekut, ndërsa pesë prej tyre, mes të cilëve nxënës dhe mësues, u transferuan në spitalin e kryeqendrës së provincës për shkak të gjendjes më të rëndë shëndetësore.
Më herët, mediat raportuan se të gjithë nxënësit u evakuuan nga shkolla, ndërsa në vendngjarje u angazhuan njësitë speciale të policisë pasi autori refuzoi të dorëzohej.
“Personi u rrethua brenda ndërtesës falë ndërhyrjes së policisë dhe më pas vdiq pasi qëlloi veten”, deklaroi Sildak për gazetarët.