Izraeli është përballur me një sulm masiv me raketa mëngjesin e sotëm, të lëshuara nga grupi militant i Hamasit.
Alarmet për sulme ajrore u lëshuan në të gjithë vendin, ndërkohë që si pasojë e shpërthimeve raportohet se ka humbur jetën një grua 70 vjeçe, ndërsa janë plagosur disa të tjerë.
Vetë militantët e Hamsait në një deklaratë thanë se janë lëshuar mbi 5000 raketa në atë që është quajtur si “Opercioni Përmbytja Al-aksa”, ndërkohë që mediat palestineze thonë se militantë të armatosur kanë kaluar kufirin nga Gaza për në Izrael.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka shkuar në Tel Aviv, ku do të mbajë një takim urgjent me zyrtarët e sigurisë, teksa ministri i Brendshëm ka thirrur edhe rezervistët e dytë të ushtrisë.
Pas kësaj ngjarje ka reaguar edhe ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Igli Hasani, i cili shpreh mbështetjen për Izraelin dhe familjet e prekura nga sulmet. “Ne qëndrojmë pa u lëkundur kundër terrorizmit. Mendimet tona janë me viktimat, familjet e tyre dhe gjithë Izraelin”, shkruan ministri.
Ndërkohë, Ministria e Jashtme bën me dije se nuk ka asnjë shtetas shqiptar të lënduar, ndërkohë që jep edhe numrin e telefonit për qytetarët që të kontaktojnë me ambasadën shqiptare në Izrael.
“Të gjithë qytetarët shqiptarë në Izrael, të ndjekin udhëzimet e autoriteteve lokale dhe të kontaktojnë për çdo rast me Ambasadën shqiptare në Izrael në numrin e kontaktit:+972 54-4806601″, thuhet në njoftimin për shtyp të MEPJ-së.